Foto: MPJD

MPJD me tender emergjent për transportin e dërgesave diplomatike, zbut kriteret për kompanitë ofertuese

Pasi shkëputi një kontratë me një kompani për shkak të vonesave dhe parregullsive, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) ka hapur një tender emergjent për transportin e dërgesave diplomatike nëpër ambasadat dhe konsullatat e Kosovës nëpër Europë e botë, përfshirë këtu pasaportat dhe letërnjoftimet e mërgimtarëve.

Tenderi është hapur me 01.11.2024 dhe afati për ofertim ka qenë vetëm 24 orë. Vlera e parashikuar e kontratës emergjente është 39 mijë euro, për 6 muaj.

Në këtë tender ka ofertuar vetëm kompania “KCC”, me çmimin për njësi prej 2 mijë e 16 euro, që është çmim dukshëm më i shtrenjtë se kontrata të cilën e kishte shkëputur MPJD me kompaninë “A.L. Dushi”.

Kompania “A.L. Dushi” kontratën e ka pasur të nënshkruar me çmimin prej 1 mijë e 304 euro për njësi. Sa për ilustrim, në tenderin që e kishte fituar kjo kompani, kompania tjetër me emrin “3P” kishte ofertuar me 233 euro për njësi. Rrjedhimisht në tenderin emergjent, MPJD ka pranuar ofertë disa fish më të lartë.

Në këtë tender, MPJD është përkujdesur që të zbusë edhe kriteret në krahasim me tenderin paraprak.

Për shembull, është hequr kriterin që për të fituar tenderin operatori ekonomik duhet të dëshmojë se ka kryer dërgesa të tilla në Europë, Azi, SHBA, Afrikë apo Kanada.

“Operatori ekonomik pjesëmarrës duhet të dorëzojë dëshmi ku dëshmohet që për disa shtete të caktuara si p.sh. Evropë – Gjermani, Francë ka bërë realizimin e dërgesave për 24 orë, Azi – dy shtete, ka bërë realizimin e dërgesave për 48-72 orë, Afrikë – dy shtete ka bërë realizimin e dërgesave për 48-72 orë dhe SHBA e Kanada ka bërë realizimin e dërgesave për 36-48 orë. Domethënë për çdo shtet nga tre dëshmi” – thuhej në pikën 9.1 e 9.2 të kritereve të dosjes së tenderit të kaluar.

Mirëpo, ky kriter në tenderin emergjent është larguar.

Një tjetër kriter që është larguar ka qenë edhe se operatori pjesëmarrës duhet të ketë të paktën dy vetura pickup dhe 1 kombi.

MPJD po ashtu në tenderin emergjent ka larguar kriterin që kompania duhet të dorëzojë një deklaratë të nënshkruar dhe të vulosur, për rrugën se nga do të bëhet transporti i dërgesave dhe mënyra e sigurisë së tyre. Në vend të kësaj ka vendosur kriter se “kompania ofertuese duhet të dorëzojë një deklaratë mbi garancionin e dërgesave si dhe kompensimin e tyre në rast se ndodhë humbja e dërgesës”.

Kriteret e vendosura në tenderin emergjent.
Kriteret e vendosura në tenderin emergjent.

KALLXO.com ka dërguar pyetje me shkrim në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diaspores për të kuptuar se për çfarë arsye janë larguar këto kritere, por deri në publikimin e këtij shkrimi, kjo ministri nuk ka kthyer përgjigje.

Gjithashtu një përgjigje nuk ka dhënë as kompania “KCC” që ka ofertuar në tenderin emergjent, e cila është pyetur në lidhje me çmimin e ofertuar dhe përvojën e tyre me dërgesat diplomatike.

Për shkak të vonesave të vazhdueshme, me datë 24.10.2024 MPJD ka shkëputur kontratën me kompaninë “A.L. Dushi”, për transportin e dërgesave diplomatike.

Sipas vendimit të MPJD-së, numri total i dokumenteve që ende nuk kishin arritur në destinacion në momentin e shkëputjes së kontratës, kanë qenë  406 pasaporta; 165 letërnjoftime dhe 4 vendime për lirim/fitim shtetësie. MPJD nuk kishte ofruar shpjegime kur është pyetur se ku kanë mbetur këto dokumente.

KALLXO.com kishte raportuar qysh në korrik të këtij viti që kompania që kishte fituar tenderin po vonohet në dërgimin e pasaportave te mërgitmarët. MPJD ishte zotuar se nuk do të lejojë më vonesa, kurse ministrja Donika Gërvalla- Schwarz ishte arsyetuar se vonesat po ndodhnin për shkak të ndërrimit të operatorit.

Sipas kontratës së nënshkruar, kompania për në Evropë kishte afat që të dorëzojë dërgesën nga 24 deri në 48 orë, nga marrja e saj. Ndërsa për në SHBA, Kanada, Australi, Azi dhe Afrikë afati për dorëzimin e dërgesës nga marrja e saj ishte 36 deri në 72 orë.

Shfaqen vonesa në transportimin e pasaportave të mërgimtarëve, MPJD i jep vërejtje kompanisë