VJOSA OSMANI
MPJD: Kemi nisur mbledhjen e informatave për incidentin me presidenten Osmani në Maqedoninë Veriore
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka bërë të ditur se kanë nisur mbledhjen e informatave për incidentin që ka ndodhur mbrëmë në Aeroportin e Shkupit në të cilin është përfshirë presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Ministria njofton që përmes Ambasadës së Kosovës në Shkup, ka nisur mbledhjen e informatave dhe që në orët e hershme të mbrëmjes ka kërkuar sqarime zyrtare nga ambasada e Maqedonisë së Veriut në Prishtinë dhe nga Ministria e Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut.
“MPJD do të mbajë publikun të informuar për veprimet e mëtejshme, për të sqaruar këtë situatë dhe për t’u siguruar që incidente të tilla të mos ndodhin në të ardhmen në raport me krerët e shtetit tonë”- njofton Ministria.
Sipas versionit të Presidencës, sigurimi i Aeroportit ka tentuar të shtyjë fizikisht presidenten Vjosa Osmani.
Egnesa Vitia nga Presidenca ka thënë për KALLXO.com se sigurimi i Aeroportit të Shkupit, duke mos i respektuar rregullat ndërkombëtare për marrëdhënie diplomatike, ka tentuar t’ia marrë telefonin personal presidentes Osmani.
“Kjo nuk ishte pranuar nga presidentja, derisa pas kësaj kishte pasur edhe tentim së shtyrjes fizike nga ana e sigurimit të Aeroportit ndaj presidentes Osmani” – tha Vitia.
Vitia shtoi se me këtë rast kishte reaguar edhe Policia për ta hapur rrugën.
“Në kundërshtim me praktikat ndërkombëtare dhe Konventën e Vjenës për Marrëdhënie Diplomatike, sigurimi i Aeroportit të Shkupit ka tentuar ta marrë telefonin personal të Presidentes. Presidentja nuk ka lejuar një gjë të tillë, sepse do të ishte shkelje e rëndë. Përkundër shpjegimit të rregullave që ekipi i Presidentes ia ka bërë të ditur zyrtarit të aeroportit, ai ka tentuar fizikisht ta shtyjë Presidenten me ç’rast është detyruar që të reagojë Policia e Kosovës për ta hapur rrugën” – shkruan në përgjigje.
Vitia tha se duke mos i respektuar rregullat pala maqedonase e kishte marrë çantën personale të dorës të presidentes Osmani.
Sipas Vitisë, kjo sjellje e zyrtarit maqedonas të Aeroportit është në kundërshtim me çdo praktikë ndërkombëtare, sipas të cilave kur krerët e shtetit udhëtojnë, ata mbrohen me privilegje e imunitete diplomatike.
Ndërkaq, Ministria e Brendshme e Maqedonisë së Veriut tha se në Aeroport erdhën edhe disa policë të tjerë, njëri nga ta sigurim i kryetarit të Kuvendit, e që më pas të njëjtët kërcënuan punëtorët aty.
Në këtë reagim është thënë se presidentes Osmani i është kërkuar telefoni në mënyrë që të skanohet.
“Por më pas bagazhi u kthye dhe kaloi përmes një skaneri. Pas gjysmë ore erdhi një person nga sigurimi i kryetarit të Kuvendit Gashi (polic) me dy persona të tjerë (policë) dhe filluan të kërcënojnë punëtorët e TAV-së dhe të pyesin se kush i ka shkaktuar problem presidentes”- shkruan në reagimin e Ministrisë.