Foto: MPJD

MPJD hap tender për bartje të gjësendeve të stafit diplomatik

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) ka hapur tender për bartjen e gjësendeve të stafit diplomatik.

Bartja e gjësendeve për stafin diplomatik të Kosovës nëpër vendet ku ata do të qëndrojnë, buxhetit të Kosovës do t`i kushtojë 120 mijë euro.

Sipas dosjes së tenderit të publikuar në e- prokurim, lloji i procedurës për këtë kontratë është i hapur.

Kompania e cila do ta fitoj këtë tender, për 36 muaj do të përkujdeset për bartjen e gjësendeve të stafit diplomatik.

Sipas dosjes së tenderit, MPJD bën kontaktimin e dërgimit të gjësendeve personale të stafit diplomatik/konsullor nga adresa në Kosovë, deri në adresën në vendin pritës, dhe anasjelltas.

Dërgimi i gjësendeve bëhet vetëm një herë në fillim të misionit, dhe vetëm një herë me rastin e kthimit nga misioni.

Kompania e cila do të fitoj këtë tender është e obliguar që të bëjë dërgimin e gjësendeve edhe përbrenda shtetit ku janë të vendosura misionet diplomatike dhe konsullore.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës po ashtu ka kërkuar dëshmi nga operatorët ekonomik për të dëshmuar se në çfarë kohe mund të dërgojnë gjësendet në kontinente të ndryshme.

Kontrata në fjalë parasheh edhe sanksione për kompaninë, nëse ndodhë ndonjë humbje e dokumentit.

10 mijë euro, duhet të paguaj kompensim kompania nëse ndodhë ndonjë humbje.

Afati për dorëzimin e ofertave për kompanitë që duan ta ofrojnë këtë shërbim është deri më datën 1 shtator.

Aktualisht, Kosova ka ambasada dhe misione diplomatike në 33 vende të botës.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kosova deri më tani është njohur nga 117 shtete.