Blerim Ramadani, foto OVL UÇK Ferizaj

MPJD: Blerim Ramadanit i ishte ndërruar masa e sigurisë në Maqedoni të Veriut

Avokati i Blerim Ramadanit, ish-ushtarit të UÇK-së, ka njoftuar Ministrinë e Jashtme dhe Diasporës se klientit të tij i është ndërruar masa e sigurisë nga arresti shtëpiak në kthim në paraburgim, në kohën kur i njejti ishte në pritje të vendimit të Gjykatës Supreme.

“Informacione tjera zyrtare nuk kemi pranuar nga autoritetet relevante të Maqedonisë së Veriut”- tha Leutrim Sahiti, këshilltari i ministres së Jashtme Donika Gërvalla-Schwarz për KALLXO.com.

“Ai ishte në pritje të verdiktit final të Gjykatës Supreme ditëve në vijim”- shtoi Sahiti.

Në mëngjesin e 15.08.2024, mediat në Maqedoni të Veriut raportuan se Blerim Ramadani ka ikur nga arresti shtëpiak nga shtëpia e të afërmve të tij në Maqedoninë e Veriut.

Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut tha të enjten për agjencinë e lajmeve MIA se është duke marrë masa për gjetjen e vendndodhjes së Ramadanit, shkruajti Radio Evropa e Lirë.

Paneli i Gjykatës Themelore Penale në Shkup më 09.08.2024, kishte marrë vendim për mosekstradimin e shtetasit kosovar, Blerim Ramadani, i arrestuar më 17.07.2024 në Maqedoni të Veriut me fletarrest të Serbisë të lëshuar rishtazi nga Interpol.

“Ramadani do të vazhdojë qëndrimin në arrest shtëpiak në Shkup deri në verdiktin final (ex officio) të Gjykatës Supreme të Republikës së Maqedonisë së Veriut”- kishte njoftuar Ministria e Jashtme.

Kryeministri Albin Kurti kishte thënë se në takimin me homologun e tij maqedonas, Hristijan Mickoski, e ka diskutuar edhe çështjen e arrestimit të ish ushtarit të UÇK-së, Blerim Ramadani, 

“Nuk ka çështje ose temë të rëndësishme që nuk e kem diskutuar. Unë jam optimist për të ardhmen, nuk është rasti i parë që na ndodhë kjo dhe besojë që aktgjykimet e Gjykatave në Maqedoni të Veriut nga e kaluara tregojnë qartë rrugën që do të ecim në të ardhmen”- tha Kurti më 05.08.2024.

Ish-ushtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Blerim Ramadani, i ishte  caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh, me vendim të Gjykatës Themelore në Shkup.

Blerim Ramadani, ish-anëtar i Zonës Operative të Nerodimes të UÇK-së, ishte arrestuar më 17.07.2024 nga Policia e Maqedonisë së Veriut bazuar në një fletarrestim të lëshuar nga Serbia.