MPJ reagon pas deklaratave të Vuçiqit për vizitë në Kosovë

Jetlir Zyberaj, këshilltar politik i ministrit të Punëve Jashtëm në dorëheqje Behgjet Pacolli, ka reaguar ndaj deklaratave të presidentit serb Aleksandar Vuçiq.

Sipas Zyberajt, Vuçiq sot ka deklaruar se dëshiron të vijë në Kosovë para zgjedhjeve, të cilat do të mbahen me 6 tetor.

Zyberaj ka thënë se kjo vizitë “është një provokim dhe frikësim i serbëve të Kosovës dhe nuk mundëson fushatë zgjedhore dhe votim të drejtë tek komuniteti serb”.

Ndërsa ka shtuar se MPJ nuk do të lejojë hyrjen e personave non- grata në Kosovë.

“Deklarata e presidentit serb Vuçiq së dëshiron të vij në Kosovë para zgjedhjeve është një provokim dhe frikësim i serbëve të Kosovës dhe nuk mundëson fushatë zgjedhore dhe votim të drejtë tek komuniteti serb.  Agjenda e Beogradit dihet. Ne nuk do të lejojmë që ky skenar i Beogradit të ndikojë në procesin zgjedhor të Kosovës dhe të pengojë qytetarët tanë që të votojnë të lirë.  Në të njëjtën kohë edhe politikanët serbë që janë persona non- grata në Kosovë nuk do të lejohen të vizitojnë Kosovën”, ka shkruar Zyberaj.