MPJ: Ligji i ri për Shërbimin e Jashtëm do të zvogëlojë kuotën e emërimeve politike

Në prezencën e Ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla, është mbajtur punëtoria e radhës e grupit punues për rishikimin e Ligjit të ri për Shërbimin e Jashtëm. Aty janë shqyrtuar komentet e fundit të draft-ligjit, para se ai të dërgohet për konsultim dhe miratim në Qeveri.

Sipas një njoftimi për media, Ligji i ri për Shërbimin e Jashtëm do të zvogëlojë ndjeshëm kuotën e emërimeve politike dhe do të ofrojë saktësi të dispozitave si dhe siguri juridike për diplomatët e karrierës. Ky ligj do të krijojë një shërbim të jashtëm funksional, efikas dhe të bazuar në llogaridhënie precize.

Ministrja Haradinaj-Stublla i ka ofruar mbështetjen e plotë të saj anëtarëve të Grupit Punues, që drafti final i këtij Ligjit të jetë profesional me synimin që të eliminojë çdo mundësi për keqinterpretim të tij, siç ka ndodhur në të kaluarën, dhe të  zvogëlojë dukshëm kuotën e emërimeve politike në diplomaci.

Ajo po ashtu tha se ky është momenti i duhur që ky ligj të miratohet sa më shpejtë, marrë parasysh nevojën për përshtatjen me aktualitetin e ri në politikën e jashtme, si dhe faktin se Shërbimi i Jashtëm funksionon me ligje të miratuara para dymbëdhjetë viteve.

“E vlerësoj punën e madhe të Grupit Punues, i cili po punon me përshkushtim dhe profesionalizëm në finalizimin e Ligjit të ri për Shërbimin e Jashtëm të Kosovës, i cili do ta ketë përkrahjen time të plotë deri në fund. Me këtë ligj eliminohen boshllëqet dhe paqartësitë aktuale që lejojnë keqzbatimin dhe interpretimin e pasaktë”, u shpreh ajo.

Me kërkesë të Ministres Haradinaj-Stublla, duke u bazuar në prioritetet qeverisëse, Ligji i ri, po ashtu, do të ketë si dispozitë kalimtare edhe vettingun diplomatik – të paralajmëruar nga shefja e diplomacisë kosovare qysh në fillim të mandatit të saj.