MPJ kërkon kujdes nga ata që udhëtojnë në Irak, Iran e Jemen

Ministria e Punëve të Jashtme ka kërkuar nga qytetarët e Kosovës dhe kosovarët që jetojnë në vende të tjera të kenë kujdes dhe maturi në rast se nuk mund të shmangin udhëtimet drejt vendeve që ka tensione, Irak, Iran dhe Jemen.

Kjo për shkak të situatës së tensionuar dhe të krijuar në po këto vende dhe në mes të SHBA-së pas vrasjes së gjeneralit të ushtrisë iraniane Qassem Suleimani.

“Në përputhje me obligimin institucional dhe ligjor për të informuar publikun dhe për tu kujdesur për sigurinë dhe integritetin e secilit qytetar të Kosovës, Ministria e Punëve të Jashtme vlerëson se këto vende nuk ofrojnë siguri për integritetin e tyre fizik”, thuhet në njoftimin e MPJ-së.

Tutje MPJ ka thënë edhe se kanë marrë informacione se ka shtetas të Kosovës që punojnë për Organizata ndërkombëtare dhe kompani të ndryshme në Irak.

“Ministria e Punëve të Jashtme sipas misionit të saj për të ofruar mbrojtje qytetarëve të Kosovës jashtë vendit ka aktivizuar misionet diplomatike në Arabi Saudite, Turqi, Katar dhe Emirate të Bashkuara Arabe për të ofruar mbështetje të nevojshme konsullore shtetasve të Kosovës në Irak dhe rajon. Gjithashtu kemi vendosur kontakt me qeverinë e regjionit të Kurdistanit për të mbështetur në çfarëdo nevoje shtetasit e Kosovës në Irak”, thuhet në njoftimin e MPJ-së.

Gjenerali, Qasem Soleimani, kreu i forcave elite të Gardës Revolucionare të Iranit është vrarë nga forcat amerikane në Irak disa ditë më parë.

Pentagoni ka konfirmuar se ai është vrarë me “vendim të presidentit”.

Gjenerali Soleimani ka qenë në makinë teksa ishte nisur në aeroportin e Bagdadit, bashkë me milicitë e përkrahura nga Irani, kur është qëlluar përmes një sulmi ajror të Shteteve të Bashkuara.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump tha më 3 janar se ai urdhëroi sulmin “për të ndalur një luftë” dhe se sipas tij, gjenerali i vrarë kishte qenë duke organizuar sulme ndaj interesave dhe aleatëve të SHBA-së.

Vetëm pak pas mesnatës së sotme rreth 10 raketa iraniane kanë goditur bazën ushtarake ‘Al Asad’ në Irak në të cilën strehohen ushtarët amerikanë.

KALLXO.com vazhdimisht po raporton për tensionet e ngritura mes Irakut, Iranit e SHBA-së.