MPJ: Emërimi i ambasadorëve të karrierës është i ligjshëm

Ministri i Punëve të Jashtme thotë se zgjedhja e ambasadorëve të karrierës është në përputhje me ligjet në fuqi të Republikës së Kosovës.

Sipas MPJ propozimi i Ambasadorëve në këtë rast është bërë para dorëheqjes së Kryeministrit, kurse emërimi i tyre nga Presidenti po ashtu është bërë në përputhje me Kushtetutën, Ligjin e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Ligjin e Shërbimit të Jashtëm të Kosovës.

“Emërimi i Ambasadorëve është një proces, jo një akt i vetëm. Presidenti,  mandati i të cilit nuk lidhet me dorëheqjen e Kryeministrit apo qeverisë, e ka bërë emërimin bazuar në propozimet e ligjshme të bëra nga Ministri i Punëve të Jashtme. Duhet theksuar se të gjithë Ambasadorët e propozuar dhe të emëruar kanë përmbushur kriteret e përcaktuara në ligj dhe janë anëtarë të shërbimit të jashtëm, që kanë kontribuar në Ministri për vite”, thuhet në sqarim e MPJ.

Ky reagim vije pas deklarimeve të LDK-së se emërimet e Ambasadorëve në këtë kohë janë të kundërligjshme.

“Ministria tanimë ka zbatuar me sukses kërkesën e ligjit për të pasur më shumë se 50% Ambasadorë të karrierës, si dhe ka krijuar një gjeneratë të re të Ambasadorëve profesionistë që kanë përvojë dhe arsimim për të përfaqësuar interesat e Kosovës jashtë vendit. Me emërimin e Ambasadorëve nga radhët e karrierës, ashtu siç është bërë propozimi nga Ministria e Punëve të Jashtme, numri i anëtarëve të shërbimit të jashtëm të emëruar Ambasador nga radhët e karrierës diplomatike do të jetë 60% më çka është de-politizuar shërbimi i jashtëm”, vazhdon më tej sqarimi.

Ministria e Punëve të Jashtme ka njoftuar se ka filluar procesin e akreditimit të këtyre Ambasadorëve në vendet përkatëse pritëse.

Sot gjatë ditës mediat kanë raportuar për emërimin e gjashtë ambasadorëve të karrierës.

Ambasadorët e emëruar të karrierës janë: Ilir Dugolli, ambasador në Turqi, Frymëzim Isufaj në Britani të Madhe, Lulzim Mjeku në Arabi Saudite, Lendita Haxhitasimi në Itali, Lulzim Pllana në Austri, Adriatik Kryeziu në Kanada.