MPB zotohet për siguri të mbarëvajtjes së procesit zgjedhor

Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar së është përkushtuar që me paanshmëri dhe profesionalizëm të sigurojë mbarëvajtjen e të gjitha aktiviteteve elektorale të subjekteve politike.

“Ministria e Punëve të Brendshme falënderon subjektet politike për zhvillimin e aktiviteteve elektorale në kuadër të rendit dhe ligjit. Zgjedhjet e qeta dhe demokratike, shmangja nga çfarëdo incidenti apo provokimi, janë shenja të një kulture të lartë qytetare që po shfaqen në Republikën e Kosovës”, thuhet në komunikatën e MPB-së.

MPB njofton se në bazë të misionit të saj, që të kujdeset për sundimin e ligjit dhe sigurinë publike në tërë territorin e Kosovës, janë ndërmarrë masat e nevojshme për të siguruar mbarëvajtjen e zgjedhjeve parlamentare.

Njëkohësisht kanë ftuar përfaqësuesit e partive politike dhe qytetarët e Republikës së Kosovës që të vazhdojnë të kultivojnë qytetari dhe kulturë aktive, duke respektuar secilin qytetar pa dallim, deri në përfundimin të garës elektorale.