Ministria e Punëve të Brendshme. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

MPB pritet të matë opinionin e qytetarëve për sigurinë në vend

Më datë 21 qershor 2022, Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), në platformën elektronike për prokurim publik në Kosovë, “e-prokurimi”, hapi tender me qëllim të hulumtimit të opinionin të qytetarëve lidhur me fushën e sigurisë së brendshme.

Nëpërmjet këtij aktiviteti të prokurimit, dikasteri qeveritar i punëve të brendshme në vend, kishte parashikuar të nënshkruaj kontratë në vlerë deri 60,000 euro.

Për këtë tender u përdor lloji i procedurës së hapur, me kriter për dhënie të kontratës, çmimi më i ulët.

Për të realizuar këtë shërbim, ofertuan 6 kompani. Tenderi i përgjegjshëm me çmimin më të lartë ishte 49,276.80 euro ndërsa tenderi i përgjegjshëm me çmimin më të ulët ishte i kompanisë së rekomanduar për kontratë “GLOBAL CONSULTING&DEVELOPMENT ASSOCIATES “SH.P.K, me vlerë të përgjithshme të kontratës 30,096 euro, me kohëzgjatje tre vite apo 36 muaj.

Sipas kërkesave nga dosja e tenderit, kompania fituese do të fokusohet në opinionin e qytetarëve në raport me organet e sigurisë, sa janë të vetëdijesuar qytetarët për raportim të krimeve në organet e sigurisë, efikasitetin e organeve të sigurisë në kontrollimin dhe mbulimin e terrenit, cilat metoda i përdorin organet e sigurisë në vetëdijesimin e qytetarëve për raportimin e krimeve, sa është punuar nga organet e sigurisë për vetëdijesimin e qytetarëve për parandalimin dhe zbulimin e krimit, etj.

Sipas përshkrimit të çmimeve planifikohen të përgatiten 7,200 pyetësor prej 40 deri 70 pyetje.

Kërkohen të realizohen 6 hulumtime për tre vite, duke filluar një hulumtim në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2022, dy hulumtime gjatë vitit 2023, dy hulumtime gjatë vitit 2024 si dhe një hulumtim në gjashtëmujorin e parë të vitit 2025.