MPB për shtesat e zyrtarëve publik: Po vazhdojmë me korrigjimin dhe përshtatjen e të dhënave

Sot, zyrtarëve publik iu kanë dal pagat e treta sipas Ligjit për Paga në Sektorin Publik, i cili ka hyrë në fuqi më datën 5 shkurt 2023.

Këto paga, edhe kësaj radhe kanë dal pa shtesat e përcaktuara në bazë të këtij ligji, e kjo, sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, ka ndodhur pasi komisioni i caktuar për korrigjimin apo përshtatjen e të dhënave në sistem të pagave është duke vazhduar ende punën.

Kjo punë u tha se do të vazhdoj edhe ditët e javët e ardhshme, përderisa shtesa për kushte specifike që u takojnë zyrtarëve publik do të merren nga këta të fundit në mënyrë retroaktive për të gjithë muajt që nga hyrja në fuqi e ligjit për paga në sektorin publik.

Kujtojmë që muajin e kaluar, kjo Ministri kishte premtuar që këto shtesa do të paguheshin gjatë muajit prill, ani pse diçka e tillë sipas njoftimit të sotëm shihet se nuk ndodhi.

“Andaj, njoftojmë të gjithë zyrtarët publikë se shtesat e sipërpërmendura për muajin shkurt dhe mars do të paguhen në mënyrë retroaktive në pagën e muajit prill” – ishte thënë në njoftimin e Ministrisë, më 31 mars 2023.

Sipas njoftimit, gjatë muajit prill, komisioni për shtesën për kushte specifike ka pranuar një numër të lartë kërkesash nga zyrtarët publik, dhe me qëllim që të evitohen gabimet, të gjitha kërkesat janë duke u shqyrtuar me kujdes dhe për këtë ende nuk ka përfunduar puna e komisionit.

Gjatë këtij muaji, MPB tha se me prioritet, ekipet përgjegjëse kanë punuar në përfshirjen në sistem të pagave për punonjësit që nuk u kanë dalë pagat në muajt e kaluar dhe për punonjësit që janë rekrutuar, pra kanë lidhur kontratë me institucionet publike pas hyrjes në fuqi të Ligjit.

“Puna në shqyrtimin dhe vendosjen e ekuivalencës përkatëse për secilën pozitë, ndikohet jashtëzakonisht shumë nga numri i kërkesave, prandaj, ekipet do të vazhdojnë të punojnë edhe në ditët dhe javët e ardhshme deri në adresimin e plotë të çdo pasaktësie në listat e pagave” – thuhet në njoftim.

MPB tutje ka thënë se kërkesat që janë paraqitur dhe që po shqyrtohen përafërsisht kanë bazë si në shpjegimin e mëposhtëm:

  1. Punonjës aktual që nuk u janë ekzekutuar pagat (në prioritet brenda muajit mars – pagat u paguhen retroaktivisht nga momenti i hyrjes në fuqi të Ligjit);
  2. Punonjës të rinj që punësohen/lidhin kontratë pas hyrjes në fuqi të Ligjit (në prioritet brenda muajit mars);
  3. Punonjës të cilëve, pas hyrjes në fuqi të Ligjit, u është përcaktuar koeficient i gabuar në raport me koeficientin sipas sistemit të vjetër të pagave (vijon korrigjimi edhe në ditët dhe javët në vazhdim–pagat u barazohen retroaktivisht nga momenti i hyrjes në fuqi të Ligjit);
  4. Punonjës të cilëve vet shtojca përkatëse e Ligjit u ka përcaktuar klasifikim të posaçëm, p.sh ekspertë sipas shtojcave të posaçme, specialistët, inspektorët, punonjësit në arsim, shëndetësi, art, kulturë e trashëgimi kulturore apo një fushë tjetër, (vijon korrigjimi edhe në ditët dhe javët nëvazhdim – pagat u barazohen retroaktivisht nga momenti i hyrjes në fuqi të Ligjit);
  5. Punonjës të cilët kanë kërkuar ndërrim klase, statusi apo kategorie nga çfarë janë aktualisht (kjo kategori mund të rishikohet vetëm pas miratimit të strukturës organizative përmes aktit që përmban klasat për secilin pozicion brenda strukturës. Institucionet obligohen sipas Vendimit të Qeverisë Nr. 04/128 të datës 16.02.2023, të përfundojnë miratimin e akteve normative që rregullojnë ndër të tjera, klasifikimin e vendeve të punës në kuadër të strukturave përkatëse).
  6. Arsye të tjera.

Po ashtu, Ministria tha se në bashkëpunim me Ministrinë e Financave do të vazhdojë të bashkëpunojë ngushtë me njësitë e menaxhimit të burimeve njerëzore dhe me udhëheqësit e institucioneve me qëllim adresimin më të shpejtë dhe më të saktë të të gjitha kërkesave.

MPB tregon se kur do të dalin shtesat për zyrtarët publikë