MPB këtë javë kontrakton mbi 4 milionë euro për furnizim me pasaporta dhe dokumente tjera

Pritjet e gjata të qytetarëve për tu pajisur me dokumentet personale dhe mungesës së furnizimit me to, duket se po i vjen fundi, pasi Ministria për Punë të Brendshme pritet që gjatë kësaj jave të nënshkruaj kontratë në vlerë mbi 4 milionë euro me kompaninë gjermane “Varidos” Gmbh.

Nëpërmjet platformës elektronike për prokurim publik në Kosovë “e-prokurimi”, Ministria e Punëve të Brendshme në Kosovës (MPB), ka njoftuar për dhënie të kontratës për tu furnizuar me dokumente blanko: pasaporta, letërnjoftime dhe patentë shofer.

Për kontratën kornizë në kohëzgjatje 12 muaj, MPB kishte parashikuar të nënshkruaj në vlerë deri 4,021,180.00 euro.

Për këtë aktivitet të prokurimit, dikasteri qeveritar i punëve të brendshme në vend ka përdorur procedurën e negoicuar pa publikim të njoftimit për kontratë, me kriter për dhënie të kontratës, çmimi më i ulët.

Sipas njoftimit për dhënie të kontratës, kompania me të cilën MPB ka negociuar është kompania “Varidos” Gmbh , nga qyteti Berlin i Gjermanisë.

Kontrata në vlerë të përgjithshme 4,021,164.00 euro dhe me kohëzgjatje 12 muaj, me kompaninë në fjalë është planifikuar të nënshkruhet gjatë kësaj jave përkatësisht me datë 14 dhjetor 2022.

Nga përshkrimi i çmimeve të këtij tenderi merret vesh se kompania e rekomanduar për kontratë pritet të kryej furnizim me 290,000 copë pasaporta ordiner (të zakonshme) , 270,208 copë letërnjoftime elektronik të tipit A, 125,000 copë patentë shofer dhe 7,000 copë leje qëndrimi të tipit c

Me këtë tender parashihet edhe mirëmbajtja e sistemeve për 12 muaj.

Ministri Sveçla për dokumentet personale

Pritjet e qytetarëve për dokumente personale u diskutuan në seancën e Kuvendit të Kosovës të datës 17 nëntor 2022, kreu i punëve të brendshme, Xhelal Sveçla ka thënë se kjo është shkaktuar si pasojë e mungesës së materialit për prodhimin tyre.

Ai ka thënë se MPB pritet që të furnizohet në fund të këtij muaji me patentë shofer dhe letërnjoftime ndërsa pas dy muajve me pasaporta.

“MPB në gusht ka lëshuar urdhër blerje edhe për sasinë shtesë të 30 përqindëshit mbi totalin e kontraktuar. Për shkak të mungesës së lëndës së parë furnitori ka kërkuar afat shtesë. MPB është në pritje për furnizim me dokumente personale, ku në fund të këtij muaji do të furnizohemi me patentë shoferë dhe letërnjoftime dhe pas dy muajve edhe me pasaportë prej 73 mijë copë”- ka thënë Sveçla sot gjatë seancës së Kuvendit.

Ai ka thënë se Agjencia e Regjistrimit Civil i kanë dhënë prioritet lëshimit të dokumenteve për kategori me urgjencë që do të thotë, rastet e sëmundjeve, rastet e bashkimit familjar, rastet e aktiviteteve sportive e diplomacia, pra këto kategori kanë prioritet.

“Për qytetarët tjerë më vjen keq por duhet ti përshtatemi rrethanave që po jetojmë. Jam duke punua me kompaninë që të furnizojë veten me lëndën e parë dhe pastaj të prodhojë dokumentacion e nevojshëm që me sjellë në Kosovë”-citohet të ketë thënë tutje ministri i Punëve të Brendshme.

Buxheti 2023, 600 mijë euro për sistem për dokumente personale

Nga muaji shkurt i vitit të ardhshëm deri në dhjetor të vitit 2024, Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), pritet të furnizohet me sistem për letërnjoftime, pasaporta dhe patentë shoferë.

Ky furnizim, projekt i ri kapital, është paraparë nga Qeveria e Kosovës në projektbuxhetin e shtetit për vitin 2023.

Ky buxhet është ende draft, dhe pritet të marr dorën e fundit nga Kuvendi i Kosovës, ku veçse është miratuar në parim nga deputetet në seancën e mbajtur më datë 17 nëntor 2022.