MPB-ja furnizohet me material për pasaporta e patentë-shoferë, nis pajisja e qytetarëve

Ministria e Punëve të Brendshme gjatë kësaj është furnizuar me material bazik për prodhimin e dokumenteve personale – pasaporta dhe patentë-shofer.

Zëdhënësja e kësaj Ministrie, Nora Fetoshi, ka thënë për KALLXO.com se sipas kontratës së nënshkruar me kompaninë kontraktuese, me pjesën tjetër do të furnizohen në fillim të shkurtit dhe marsit.

Ajo ka konfirmuar se qytetarët tashmë kanë filluar të pajisen me dokumente.

“Ashtu siç kemi premtuar, një pjesë e materialit bazik për prodhimin e dokumenteve personale ka arritur në Kosovë gjatë kësaj jave. Në fillim të muajit shkurt dhe mars do të arrijë pjesa tjetër e materialit, bazuar në kontratë. Gjendja aktualisht është stabilizuar dhe qytetarët janë duke u pajisur me dokumente personale”- ka thënë ajo për KALLXO.com.

Fetoshi tutje ka bërë të ditur se të parët që do të pajisen janë qytetarët që kanë aplikuar nga muaji shtator.

Qytetarët e Kosovës tash e disa muaj janë duke u përballur me pritje të gjata për t`u pajisur me dokumente personale si patentë-shoferë, letërnjoftime e pasaporta.