MPB: Hyn në fuqi Marrëveshja për njohjen e patentë-shoferëve mes Kosovës dhe Italisë

Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) ka bërë të ditur se nga sot, më 29.01.2025, ka hyrë në fuqi zbatimi i Marrëveshjes reciproke për njohjen e patentë-shoferëve mes Kosovës dhe Italisë.

Sipas Ministrisë njohja e patentë-shoferëve u mundëson qytetarëve të bëjnë konvertimin e dokumenteve pa pasur nevojë t’u nënshtrohen procedurave shtesë: as nga pjesa teorike dhe as nga ajo praktike.

“Zbatimi i kësaj Marrëveshjeje është një hap i rëndësishëm drejt integrimit të qytetarëve të Kosovës, të cilët jetojnë në Republikën e Italisë. Njëkohësisht, kjo Marrëveshje do të lehtësojë barrën ekonomike për qytetarët të cilët kanë nevojë ta ndërrojnë dokumentin.” – thuhet nga MPB.

Tutje MPB-ja thekson se finalizimi i këtij procesi është hap i rëndësishëm për vendin dhe qytetarët.

“Me këtë rast do të riafirmohen raportet e shkëlqyera që gëzojnë Republika e Kosovës me Republikën e Italisë.” – shton me tej Ministria në njoftim.

Italia e ka njohur pavarësinë e Kosovës, më 21.02.2008.