MPB, gjatë 24 orëve ka lëshuar rreth 1,500 targa provuese

Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) ka njoftuar se gjatë 24 orëve të fundit ka lëshuar 1 mijë e 455 targa provuese për automjetet me targa të Serbisë e që hyjnë në Kosovë.

“Ministria e Punëve të Brendshme, Policia e Kosovës bazuar në detyrat dhe autorizimet e saj është duke vazhduar ndërmarrjen e veprimeve policore në nivel vendi, përfshirë të gjitha pikat e kalimit kufitar me qëllim të zbatimit të marrëveshjes për lëvizjen e lirë-konkretisht targave të automjeteve, ku gjatë 24 orëve të fundit ministria ka lëshuar 1.455 targa provuese”, thuhet në komunikatë.

Sipas Ministrisë, Policia e Kosovës është duke u kujdesur për ruajtjen e rendit dhe sigurisë si dhe ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme operative e logjistike që të mundësojë lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave në nivel vendi.

Ministria ju ka bërë thirrje qytetarëve të cilët planifikojnë që të shfrytëzojnë pikat kufitare në Bërnjak dhe Jarinjë, që sipas mundësive të shfrytëzojnë pikat e tjera kufitare për qarkullim, për shkak të krijimit të pengesave të mundshme.

“Ministria e Punëve të Brendshme, Policia e Kosovës vlerësojnë situatën e qetë dhe pa incidente, ndërsa angazhimi dhe realizimi i detyrave policore do të vazhdoj në interes të ruajtjes së rendit, qetësisë dhe sigurisë publike në vend”, thuhet në fund të njoftimit të MPB-së.