MPB e Gjermanisë: Po e shqyrtojmë kërkesën e Kosovës

Për shkak të mungesës së materialit për t’u pajisur me pasaporta, ministri i Brendshëm i Kosovës , Xhelal Sveçla kishte kërkuar nga shteti i Gjermanisë që të lejojë hyrjen e qytetarëve të Kosovës që u ka skaduar pasaporta, brenda territorit të këtij shteti.

Ministria e Punëve të Brendshme e Gjermanisë e ka konfirmuar për KALLXO.com se është duke e shqyrtuar këtë kërkesë të Kosovës.

Zëdhënësja e MPB-së e Gjermanisë, Sascha Lawrenz ka theksuar se Gjermania i njeh pasaportat që kanë vlefshmëri deri në dhjetë vite në linjë me udhëzimet globale të ICAO-s (Organizata Ndërkombëtare e Aviacionit Civil).

“Ministria Federale e Punëve të Brendshme dhe Komuniteteve ka pranuar kërkesën nga Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës. Gjermania njeh pasaportat me vlefshmëri deri në dhjetë vjet në përputhje me udhëzimet globale të ICAO. Megjithatë, kërkesa nga Kosova është ende në shqyrtim”- ka thuhet në përgjigjen e saj për KALLXO.com.

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla përmes një letre drejtuar autoriteteve gjermane e të cilën e ka siguruar KALLXO.com, kishte kërkuar që të lejohen qytetarët e Kosovës të cilët kanë një leje qëndrimi të vlefshme në Gjermani dhe të marrin shërbime me pasaportë të skaduar të Kosovës.

Ai ka kërkuar që shtetasit kosovarë me leje qëndrimi të vlefshme në Gjermani të mund të kthehen nga Kosova në Gjermani pavarësisht skadimit të pasaportës kosovare.

Po ashtu, foshnjat e sapolindura në Gjermani nga prindër me leje qëndrimi në Gjermani, të cilët kanë fluturuar në Kosovë për të marrë pasaportë RKS të paraqiten me këto dokumente: leje qëndrimi e vlefshme gjermane e njërit prej prindërve që udhëton me foshnjën, certifikata gjermane e lindjes së foshnjës, certifikata kosovare e lindjes.

Ministri Sveçla ka kërkuar që këto masa të vlejnë deri në muajin qershor 2023, ose më herët nëse zgjidhet çështja e mungesës së materialit për dokumente identifikuese.

Në fillim të letrës thuhet se fillimisht për shkak të çështjeve të zinxhirit të furnizimit të shkaktuara nga mungesa e materialeve si rezultat pandemisë e më pas edhe luftës në Ukrainë, Kosova si shumë vende të tjera janë duke u përballur me mungesë të materialit për dokumente identifikuese.

“Për shkak të kësaj një numër i qytetarëve kosovarë nuk mund të pajisen me pasaporta të reja ose t’i rinovojnë ato me afat të skaduar” – vazhdon letra e cila mban datën 21 dhjetor 2022.

Sveçla ka potencuar në letër se kompania e kontraktuar për furnizim me material për dokumente identifikuese nuk ka qenë në gjendje të sigurojë materialin e nevojshëm.

Qytetarët e Kosovës tash e disa muaj janë duke u përballur me pritje të gjata për t`u pajisur me dokumente personale si patentë-shoferë, letërnjoftime e pasaporta.

Mungesa e materialit, Sveçla kërkon nga Gjermania të lejojë hyrjen e qytetarëve me pasaportë të skaduar