Motra e ish-zyrtarit të Doganës, kërkon sqarime nga Konjufca, Kurti e Sveçla për hetimet për vdekjen e vëllait

Laura Berisha, motra e ish-zyrtarit doganor i cili ishte gjetur pa shenja jete në vendin e tij të punës më 17 prill, ka kërkuar sqarime nga ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, kryeministri Albin Kurti dhe kryeparlamentari Glauk Konjufca, në lidhje me hetimet për vdekjen e vëllait të saj.

Shumë nga figurat të Lëvizjes Vetëvendosje po mbanin aktivitet në sheshin e Prishtinës, kur Laura Berisha i ndali dhe i kërkoi sqarime.

“Nuk e kemi asnjë përgjigje deri tash, kemi kërkuar takim, na keni injoruar, nuk kemi kurrgjë deri tash. Dashta me ju pyet a jeni duke luftuar krimin ashtu siç keni premtuar apo jo”, pyeti ajo.

Sveçla, Kurti e Konjufca nuk dhanë ndonjë përgjigje. Ndërsa ministri i Financave, Hekuran Murati tha që është duke u punuar për zbardhjen e këtij rasti.

“Jemi duke luftuar, organet e rendit janë duke u marrë me të gjitha këto, dhe merren”, tha ai.

Mirëpo edhe pas kësaj përgjigje, Laura Berisha fajësoi qeverinë Kurti për ‘injorim total’.

“Sveçla nuk na ka dhënë përgjigje asnjëherë, asnjëherë, ju kena votu me luftu krimin, vëllai jem është vra më 17 prill në oborr të doganës, nuk kemi përgjigje që 6 muaj e gjysmë, na keni injoruar totalisht”, theksoi ajo.

Më 17 prill 2021, një vdekje e dyshimtë kishte ndodhur në lagjen Veternik të Prishtinës.

Prishtinë – Gjendet i vdekur një person, dyshohet për vetëvrasje