Moti për sot dhe nesër

Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, sot dhe nesër do të mbajë mot me diell dhe vranësira të shpërndara kryesisht përgjatë relievit malor.

Temperaturat do të shënojnë rritje të lehta, në orët e mesditës. Minimalet do të lëvizin ndërmjet 11-15 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 32-38 gradë Celsius.

Indeksi UV vazhdon t’i mbajë vlerat e larta, prandaj këshillohet shmangja e kontaktit direkt me rrezet e diellit, në intervalin kohor 10:00 – 17:00.

“Konsumo ujë, jo edhe lëngje të gazuara dhe me sheqer, bart masa mbrojtëse, syze, kapelë, rroba të pambukta me ngjyra të lehta”, thuhet në njoftimin e IHMK-së.

Instituti këshillon që të moshuarit dhe rastet me sëmundje kronike të qëndrojnë në ambiente të freskëta dhe të ajrosura mirë.

Të dielën parashihet të ketë rënie të lehta të temperaturave maksimale pasi ka mundësi që vende-vende të ketë riga shiu të përcjellura me shkarkime rrufesh.