Moti për javën e ardhshme, kur pritet ngritja e temperaturave

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se java e ardhshme fillon me kushte pothuaj të ngjashme meteorologjike me ditët e fundit.

Sipas IHMK-së, dita e hënë dhe e martë paraqiten me vranësira, riga shiu dhe shkarkime rrufesh, dhe se nuk përjashtohen mundësitë që në territore të vogla rigat e shiut të shoqërohen me breshër.

Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 12-18 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 25-28 gradë Celsius. Do të fryjë erë kryesisht nga verilindja e lehtë dhe lokalisht e fortë.

“Kushtet agrometeorologjike paraqiten relativisht të mira përjashtuar fushatën e korrje shirjes, sepse këto reshje e kanë ndalur ketë proces i cili mund të vazhdojë sërish nga mesi i javës ku parashihen rreze dielli”, thuhet në njoftim.

Tutje thuhet se sasitë e reshjeve të regjistruara në rrjetin e IHMK-së më të larta ishin në lindje dhe verilindje të territorit, ku sasia totale e reshjeve arriti rreth 50 litër për metër katrorë. Qendra e Kosovës shënoj 20-25 litër për metër katrorë. Verilindja 40-45 litër për metër katrorë, ndërsa në perëndim të vendit sasia totale e reshjeve u regjistrua nga 15-20 litër për metër katrorë.

Javën që po lëmë pas në disa zona të komunës së Skenderajt kishte edhe breshër, ku janë shënuar dëme në kulturën e grurit, misrit dhe në perimekulturë.

Në fundjavën e ardhshme parashihen rritje të temperaturave maksimale.