Moti për 5 ditë, nga e martja reshjet ulin temperaturat

Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës në pesë ditët e ardhshme, temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet -4 deri 1 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 2 deri 8 gradë Celsius.

Fushat me presion të ulët atmosferik që kanë përfshirë pjesën e Gadishullit të Ballkanit do të jenë të qëndrueshme dhe me tendencë në rritje.

IHK parashikon që kjo situatë meteorologjike do të kushtëzojë mot kryesisht të vranët.

Të hënën për shkak të prezencës së vlerave pozitive në fushat termike, parashihet të bie shi në viset e ulëta dhe mesatare, ndërsa në viset e larta parashihet të bie borë.

Instituti njofton se nga dita e martë reshjet parashihen të jenë në formë dëbore edhe në viset e ulëta.

Këto reshje do të ndikojnë në uljen e temperaturave në të dy vlerat ekstreme.

“Do të fryjë erë nga drejtimi i jugperëndimit dhe veriperëndimit me shpejtësi 1-7m/s në rrafshin e Kosovës, ndërsa në veriperëndim të Dukagjinit shpejtësia maksimale e erës mund të arrijë deri 18m/s”, përfundon parashikimi i mmotit nga IHK.

Foto: IHK/Facebook