Moti nesër e pasnesër, bien temperaturat, priten reshje shiu e rrufe

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se gjatë dy ditëve të ardhshme pritet të ketë rënie të temperaturave.

“Pas këtyre temperaturave të larta të cilat mbretëruan mbi vendin tonë, moti do të pësoj ndryshime pothuaj në gjithë parametrat meteorologjik”, thuhet në njoftim.

IHK potencon se parashihen vranësira të dendura dhe reshje shiu e shkarkime rrufesh, madje në disa vende mund të ketë edhe reshje  të breshrit.

“Përpos rrezeve të diellit gjatë ditës parashihen vranësira të dendura të cilat do të shoqërohen me riga shiu dhe shkarkime rrufesh. Ekziston rreziku që në disa vende të bie breshër. Kjo situatë parashihet për shkak se në fusha termike ditëve të fundit patëm temperatura të larta dhe këto ndryshime fizike që parashihen të ndodhin në Troposferë mund të jenë të shpejta duke krijuar një mot me stuhi”, thuhet tutje në njoftim.

Sipas IHK-së, temperatura minimale në dy ditët e ardhshme do jetë 17 gradë celsius, ndërsa ajo maksimale 31 gradë celcius.

“Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 17-18 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 27-31 gradë Celsius. Do të fryjë erë kryesisht nga juglindja e lehtë dhe lokalisht e fortë”, njofton IHK.