Parashikimi i motit - Foto: KALLXO.com

Moti në Kosovë sot dhe gjatë pesë ditëve të ardhshme

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se pas reshjeve të ditëve të fundit që përfshinë vendin tonë, situata sinoptike do të stabilizohet. Reshjet do të vazhdojnë edhe gjatë pjesë së dytë të ditës së sotme.

Më tej, parashihet që ky ciklon të dobësohet për të vazhduar tutje me mot relativisht të mirë dhe me intervale të gjata me diell.

“Riga të dobëta mund të ketë gjatë javës, si pasojë e zhvillimit të vranësirave lokale, por reshje siç patëm ditëve të fundit, nuk parashihen”, është thënë në njoftim.

Në orët e para të së hënës parashihen ngrica të dobëta të cilat mund të jenë të dëmshme për disa lloje të pemëve të cilat vetëm se janë në fazën e lulëzimit.

Temperaturat minimale do të lëvizin rreth zeros deri në 7 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës do të jenë tipike pranverore, duke lëvizur në kufijtë e 10 deri në 20 gradë Celsius.

Sa i përket erës, raportohet se do të fryjë erë e lehtë deri mesatare nga drejtimet e ndryshme.