Moti në Kosovë, rikthehet i nxehti afrikan

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se në pesë ditët e ardhshme Kosova do të vazhdojë të mbetet nën ndikimin e masave të ajrit me presion të ndryshueshëm atmosferik, situatë që do të mundësojë mot me diell dhe vranësira konvektive, të cilat ditën e martë dhe të premte, vende-vende parashihen të sjellin reshje shiu të intensitetit të dobët deri mesatar.

Ndonëse ditët e fundit ishin më të freskëta, Instituti paralajmëron se i nxehti afrikan sërish pritet të rikthehet, duke ndikuar në rritjen e temperaturave maksimale në mesditë, jo vetëm në Kosovë, por edhe në të gjitha vendet përreth.

Gjatë këtyre pesë ditëve të parashikimit, temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 13-16 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 25-35 gradë Celsius.

Dita e enjte parashihet të jetë më nxehta duke arritur maksimumin e javës.

“Indeksi UV do të shënojë vlera të rritura, prandaj kujdes kontaktit direkt me rrezet e diellit në orët e mesditës, respekto këshillat e IKSHP dhe IHMK”, porosit Insituti.

Do të fryjë erë nga perëndimi dhe veriperëndimi e lehtë dhe lokalisht e fortë.