Moti në Kosovë në javën e fundit të verës

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se java që presim do të jetë nën ndikimin e masave të ajrit relativisht të ftohta me origjinë nga veriu.

Përpos ditës së hënë, kur parashihen temperatura më të larta, ditët e tjera do të kenë temperatura më të ulëta.

“Minimalet do të lëvizin ndërmjet 3-7 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 14-20 gradë Celsius” – thuhet në njoftimin e Institutit.

Të martën dhe të mërkurën parashihen më shumë vranësira të cilat kanë mundësi të sjellin riga të dobëta të karakterit lokal.

Ditët e tjera, sipas Institutit, deri në fundjavë parashihen të kenë një stabilitet, por që temperaturat mbeten të ngjashme.

Do të fryjë erë kryesisht nga veriu me shpejtësi 1-4 m/s.

Të kujtojmë se në këtë javë, konkretisht me datën 23 shtator në orën 02:04 min hyjmë në stinën e vjeshtës astronomike dhe dita me natën do të jenë të barabarta, pra, do të ndodh ekuinoksi vjeshtor dhe pastaj ditët vazhdojnë të shkurtohen për 1 min dhe netët të zgjaten për 1 min.