(Arkiv) Bora në Prishtinë - Foto: Atdhe Mulla
Moti në Kosovë, java e ardhshme - më e ftohta e stinës
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se java e ardhshme parashihet të jetë më e ftohta e kësaj stine.
“Java e ardhshme, (përveç ditës së hënë), mbi vendin tonë do të ndikohet nga masat e thata të ajrit me origjinë nga pjesa veriore e kontinentit. Këto masa të ajrit do të kushtëzojnë mot të ftohët dhe me temperatura tipike dimërore. Parashihet të jetë java më e ftohët deri më tani e kësaj stine” – është thënë në njoftimin e IHK-së.
Sipas IHK-së, edhe sot pasdite parashihen erëra të fuqishme të cilat do t’i përfshijnë disa rajone, kryesisht veriun, verilindjen dhe perëndimin e vendit, por edhe pjesa qendrore gjithashtu do të përfshihet nga erërat e fuqishme të cilat do të regjistrojnë shpejtësinë mbi 12m/s.
Po ashtu, është bërë e ditur se parashihet edhe reshje bore të intensitetit të dobët, të cilat do të vazhdojnë edhe në pjesën e parë të ditës së hënë, ku edhe erërat parashihen të dobësohen pasditen e ditës së neserme.
Instituti ka njoftuar se gjatë gjithë javës do të ketë ngrica u ka bërë thirrje pjesëmarrësve në komunikacion të kenë kujdes të shtuar.
“Gjithashtu apel edhe tregtarëve të cilët merren me importimin dhe shitjen e pemëve dhe perimeve që produktet e tyre t’i ruajnë në vende të përshtatshme, pasi që pothuaj e gjithë java do të jetë me ngrica, si pasojë e temperaturave të ulëta” – është thënë në njoftim.
Sipas IHK-së, temperaturat minimale parashihen të lëvizin ndërmjet -11 deri -5 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet-2 deri 1 gradë Celsius.
Ndër të tjera, Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se erëra të fuqishme kanë përfshirë disa vende të Europës, përfshirë Kroacinë dhe vendet përreth. Gjithashtu edhe në disa rajone të Turqisë po mbretëron një mot i ligë i përcjellë me reshje dhe stuhi.
IHK ka thënë se moti në këto vende të cekura është shoqëruar me reshje të dendura bore, të shoqëruara me stuhi të fuqishme, ku si pasojë janë krijuar dëme të mëdha në ekonomi, raportohet edhe për viktima.