Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Moti në javën e parë të marsit në Kosovë

Instituti Hidrometorologjik i Kosovës ka parashikuar se moti në Kosovë në javën e parë të marsit pritet të jetë i ngrohtë, ndërsa nga fundi i javës pritet ulja e temperaturave.

Sipas IHMK-së, në datat 1 deri në 5 mars, temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet -2 deri 2 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihet të lëvizin ndërmjet 9 – 17 gradë Celsius.

Në fundjavë parashihet të ketë zhvillim të vranësirave të cilat vende-vende do të sjellin shi dhe ulje të temperaturave në të dy vlerat ekstreme.

Gjithashtu, IHMK-ja ka bërë të ditur se si pasojë e masave anticiklonike të stacionuara ditë më parë në territorin tonë, kushtet biometereologjike do të jenë mesatarisht të mira, sepse sipas IHMK-së, ndotësit vazhdojnë të mbeten të ekuilibruar në stadet e para të Troposferës.

“Ndërsa, kushtet Agrometeorologjike do të jenë të shkëlqyera, me theks të veçantë në fushën e pemëtarisë, sepse, për shkak të temperaturave të ulëta, kryesisht gjatë natës, bujku mund ta kryen procesin e krasitjes së pemëve, sepse edhe është afati optimal i kryerjes së këtij procesi”, thuhet në njoftimin e IHMK-së.