Parashikimi i motit

Moti në ditët e ardhshme, temperaturat minimale bien edhe nën zero

Në ditët e ardhshme në Kosovë parashihet të ketë ulje të temperaturave.

Temperaturat minimale  do të lëvizin ndërmjet -2 deri 3 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 12-16 gradë Celsius.

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se java e fundit e muajit tetor do të vijojë me mot me vranësira dhe intervale të gjata me diell dhe temperaturat minimale do të shënojnë rënie, duke krijuar kushte që ditën e hënë dhe të martë në mëngjes të krijohet mjegulla dhe ngrica të dobëta.

Sipas IHK-së, kjo situatë vjen si rezultat i prezencës së fushave anticiklonike të cilat kanë përfshirë gjithë territorin e vendit tonë.

“Po ashtu si pasojë e rënies së temperaturave minimale ekzistojnë kushte që në mëngjes të paraqitet fenomeni i brymës i cili mund të ndikoj negativisht në perimekulturë, te ato perime që ju ekspozohen rrezeve direkt të dritës”, thuhet më tej.

Sipas Institutit po ashtu do të fryjë erë nga drejtimi i jugperëndimit me shpejtësi 1-11 m/s.

“Kushtet biometeorologjike dhe agrometeorologjike do të jenë relativisht të mira për shkak të aktivitetit të këtyre elementeve dhe dukurive meteorologjike”, thuhet më tej.