Moti - Foto: KALLXO.com

Mot i ndryshueshëm në 5 ditët e ardhshme

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se nga 6 deri më 10 mars në Kosovë moti do të jetë i ndryshueshëm.

Sipas këtij parashikimi, të hënën pritet që të ketë mot kryesisht të vranët dhe me intervale me diell.

Vranësirat vende-vende mund të sjellin riga shiu të intensitetit të dobët, ndërsa në viset malore reshjet parashihen të jenë të intensitetit mesatar.

Edhe të martën pritet që të moti të jetë i vranët dhe me intervale me diell, ndërsa temperaturat do të shënojnë rritje të lehta.

Mot kryesisht i ngjashëm me ditën e marte është njoftuar se do të ketë edhe gjatë të mërkurës, kur do të ketë vranësira dhe intervale me diell. Ndërsa, vranësira më të theksuara parashihen përreth relievit malor.

“Mot me vranësira të shpërndara dhe me intervale më të gjata me diell. Temperaturat do të shënojnë rritje në të dy vlerat ekstreme” – është thënë në njoftimin për të enjten gjersa për të premten është bërë e ditur se do të ketë mot kryesisht të vranët dhe me kushte për reshje shiu.

Po ashtu, të premten është thënë se temperaturat do të shënojnë rënie kryesisht në vlerat e maksimaleve, ndërsa minimalet mbeten pothuaj konstante.

Sipas këtij njoftimi, gjatë kësaj jave parashihet të fryjë erë nga jugu dhe juglindja me shpejtësi 1-9m/s.