Ilustrim

Moti i ftohtë, mbyllen shkollat në Shqipëri

Moti i ftohtë dhe me temperatura të ulëta ka bërë që Ministria e Arsimit dhe Sportit në Shqipëri të marrë vendim për mbylljen e shkollave në tri ditët e para të javës së ardhshme.

Kështu ka njoftuar ministrja Evis Kushi, e cila ka shtuar se në disa zona temperaturat pritet të jenë deri në minus 17 gradë celsius.

“Për këtë arsye, duke qenë se prioriteti ynë absolut në çdo kohë është shëndeti dhe mirëqenia e fëmijëve tanë, kemi vendosur që shkollat të mbyllen javën e ardhshme, nga dita e hënë deri të mërkurën, dhe orët e humbura do të zëvendësohen në vijim pas një njoftimi të dytë në bashkëpunim me zyrat vendore arsimore”, thuhet në publikimin e saj në Facebook.

Ministrja ka theksuar se “nëse parashikimet nuk do të dalin të sakta, dhe temperaturat do të jenë më të pranueshme”, do të rishikojnë këtë vendim.