Moti gjatë javës së ardhshme në Kosovë, shi e borë në vise të larta

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se java e ardhshme (09.12.2024-13.12.2024) do të vijojë me mot të ndryshueshëm.

Sipas IHMK-së gjatë këtyre ditëve nuk do të mungojnë rigat e shiut dhe fjollat e borës në viset e larta, ndërsa rrezet e diellit do të jenë më të kufizuara.

Teksa, në orët e vona të ditës së sotme (08.12.2024) priten riga shiu të shoqëruara edhe me reshje bore.

IHMK tha se të hënën do të mbajë mot i vranët dhe me intervale me diell. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet -2 deri 1 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 6 deri në 10 gradë Celsius, ndërsa do të fryjë erë e lehtë kryesisht nga verilindja.

Të martën prapë do të ketë mot kryesisht të vranët dhe me riga shiu, ku në mëngjes parashihet ngrica dhe mjegull, kryesisht nëpër ultësira dhe vise malore.

“Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 0 deri 3 gradë Celsius , ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 4- 7gradë Celsius. Do të fryjë erë nga drejtimi i juglindjes me shpejtësi 1-5m/s” – u tha në njoftim.

Tutje u shtua se të mërkurën do të ketë mot kryesisht i vranët dhe me kushte për riga shiu.

Instituti paralajmëroi se temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet -1 deri 2 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 4-7 gradë Celsius dhe se do të fryjë erë e lehtë deri mesatare nga drejtimi verilindjes.

Të enjten pritet prapë mot kryesisht i vranët dhe me riga shiu, me temperatura minimale që do të lëvizin ndërmjet 0-2 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 4-6 gradë Celsius.

Instituti theksoi se do të fryjë erë kryesisht nga juglindja me shpejtësi 1-5m/s.

Të premten do të ketë mot kryesisht të vranët me temperatura minimale që do të lëvizin ndërmjet -2 deri 1 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 4 deri në 7 gradë Celsius.

Erë e lehtë deri në mesatare do të fryjë nga drejtimi i juglindjes.