Mot kryesisht i vranët gjatë dy ditëve të ardhshme në Kosovë

Instituti Hidormeteorologjik i Kosovës(IHMK) ka njoftuar se në dy ditët e ardhshme do mbajë mot kryesisht i vranët dhe me rreze dielli në disa zona.

Sipas IHMK-së, në vise malore parashihen reshje të lehta bore gjatë ditës së premte, derisa të shtunën do ketë mot më stabil.

“Do të mbajë mot kryesisht i vranët por nuk do të mungojnë as rrezet e diellit nëpër disa zona. Vranësirat herë-herë do të shoqërohen me riga shiu të përziera edhe me flokë bore, ndërsa në viset malore parashihen reshje bore të intensitetit të dobët deri mesatar (ditën e premte). Të shtunën mot më stabil”, thuhet në njoftim.

Tutje, Instituti thekson se temperatura minimale do shkojë deri në -6 gradë celsius, kurse ajo maksimale deri në 5 gradë celsius.

“Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet -6 deri -3 gradë Celsius ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 4-5 gradë Celsius”, thuhet tutje në njoftim.

Ky ndryshim i temperaturave, sipas IHMK-së, do të krijojë kushte që në shumë lokalitete të krijohet mjegulla si dukuri, ndërsa ngricat do mbeten prezente gjatë natës dhe orëve të para të ditës.

Për shkak të këtyre ngricave, instituti rekomandon për kujdes të shtuar në trafik.