Mot i ndryshueshëm në pesë ditët e ardhshme

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se java e dytë e muajit prill do të karakterizohet me mot të ndryshueshëm.

Sipas IHMK-së, të hënën mot me diell dhe vranësira të shpërndara, në mëngjes parashihen ngrica të dobëta.

Kurse, dita e martë do të vijojë me kushte po thuaj të njëjta meteorologjike, por që vende-vende parashihen riga shiu, të mërkurën mot i ftohtë dhe me kushte për reshje shiu dhe bore.

Ndërsa, nga dita e enjte parashihen rritje graduale të temperaturave maksimale, por që minimalet mbesin nën vlerat e mesatareve për periudhën që jemi.

“Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet -2 deri 2 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 4-14 gradë Celsius. Do të fryjë erë nga veriu dhe jugperëndimi me shpejtësi 1-7m/s”, thuhet në njoftim.

Instituti ka theksuar se kushtet biometeorologjike mbeten të pafavorshme për një shtresë të popullatës me sëmundje kronike.

“Edhe kushtet agrometeorologjike nuk paraqiten të favorshme sidomos për fushën e pemëtarisë për shkak të mundësisë së temperaturave minimale (negative) që mund të regjistrohen në orët e para të ditës”, vijon njoftimi.