Drejtori për siguri publike, Mensur Hoti, Foto: Arta Sopi, KALLXO.com

Moszbatimi i Ligjit për Infrastrukturë Kritike, flet drejtori për siguri publike i MPB-së

Drejtori për Siguri Publike në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme, Mensur Hoti është duke raportuar në Komisionin për Siguri rreth zbatimit të Ligjit për Infrastrukturën Kritike.

Enver Dugolli, anëtar i Komisionit nga LVV-ja e ka pyetur Hotin në lidhje me moszbatueshmërinë e këtij ligji në Kosovë.

“Ne jemi të shqetësuar si Komision për shkak se ditë më parë e kemi miratuar një raport, është fjala për zbatimin e Ligjit për Infrastrukturë Kritike, për shkak se ky ligj nuk ka filluar të zbatohet fare, a e keni ngritë këtë çështje ndonjëherë në Ministri. Ligji është miratuar, por asnjëherë nuk është zbatuar nga insitucionet”, tha ai.

Mensur Hoti, drejtori i Departamentit për Siguri Publike tha që për ligjin në fjalë duhet dokumentacion shtesë si dhe rekrutim shtesë të stafit.

“Është realiteti ajo që po e thoni ju. Ligji është miratuar për shkak se e kemi konsideruar të rëndësishëm. Ka një marrëveshje me KE për të na asistuar për të nxjerrë akte të tjera për zbatimin e ligjit, ne krejt çka kemi arritur të bëjmë kemi përgatitur një dokument për rrugën përpara sesi të vazhdojmë tutje. Ne nuk kemi pasur asnjë vizitë për shkak të pandemisë, përveç disa oferta për trajnime online të cilat i kemi refuzuar, për shkak që kemi konsideruar se kjo është një çështje me mjaft rëndësi”, tha Hoti.

Hoti gjithashtu theksoi se procedura e rekrutimit është e para që duhet të kryhet.

“Procedura e rekrutimit duhet të jetë procedura e parë që duhet të kryhet, sepse edhe trajnimi do të bëhet për këtë. Besoj brenda muajit do ta kemi të qartë sesi do të veprojmë. Divizioni për infrastrukturë kritike aktualisht nuk ka asnjë zyrtarë, e për këtë janë të paraparë të jenë 4”, shtoi ai.

Javën e kaluar komisioni parlamentar për çështje të sigurisë ka miratuar raportin për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për infrastrukturën kritike.

Javën e kaluar, komisioni për siguri ka miratuar raportin për zbatimin e Ligjit për Infeastukturë Kritike, anëtarët e komisionit u shprehën të shqetësuar për moszbatimin e këtij ligji.

Në vitin 2018, Republika e Kosovës ka miratuar Ligjin për infrastrukturën kritike, ligj ky që ka hyrë në fuqi në prill të vitit 2019.

Ky ligj ka për qëllim për të ruajtur dhe mbrojtur infrastrukturën kritike kombëtare dhe evropiane, për të mbrojtur qytetarët e Republikës së Kosovës, parandaluar incidentet dhe minimizuar dëmin potencial për infrastrukturën kritike, pasurinë e përgjithshme, humbjet ekonomike dhe sociale, siguruar stabilitetin e qeverisë dhe rritur qëndrueshmërinë.

https://kallxo.com/lajm/komisioni-parlamentar-miraton-raportin-per-mbikeqyrjen-e-zbatimit-te-ligjit-per-infrastrukturen-kritike/