Policia e Kosoves Foto facebook

Mosrespektimi i masave ndaj pandemisë, Policia gjobiti mbi 5 mijë qytetarë

Nga data 28 gusht deri më tani janë dënuar mbi 5 mijë qytetarë për mosrespektimin e Ligjit anti-COVID.

Kështu ka konfirmuar për KALLXO.com Zyra për medie e Policisë së Kosovës.

“Nëse flasim për angazhimet e Policisë që kur ka filluar zbatimi i Ligjit për parandalimin dhe luftimin e COVID-19, deri me sot janë shqiptuar mbi 5.000 gjoba”, kanë konfirmuar forcat e rendit.

Sipas Ligjit për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë COVID-19, në nenin 24, i cili flet për lëvizjen në oraret e përcaktuara, pika 5 e parasheh edhe gjobitjen e atyre që nuk mbajnë maskë. Ndonëse, në këtë nen nuk përcaktohet se në cilat vende dhe raste mund të gjobiten qytetarët.

“Personi fizik i cili nuk respekton vendimin e Organit Kompetent për mbajtjen e maskës, dënohet me gjobë prej tridhjetepesë (35) euro”, thuhet në Ligj.

PK-ja ka sqaruar edhe bazën ligjore mbi të cilat po shqipton gjoba ndaj qytetarëve.

“Gjobat përfshinë nenet që përfshinë ligji  potencuar më lartë, e kryesisht neni 24.5 që ka të bëjë mosbartjen e maskës dhe neni 24.6 për mosmbajtjen e distancës fizike, dënime janë shqiptuar edhe sipas neneve tjera varsisht prej situatës dhe shkeljeve të evidentuara në teren”, ka sqaruar Policia.

Ditë më parë, KALLXO.com raportoi sesi qytetarët ishin dënuar nga policia derisa ishin të vetëm në makinë dhe nuk bartnin maskë.

Ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë pas raportimeve në media dha shpjegimin ku parashihej edhe mbajtja e maskës.

KALLXO.com ka pyetur Policinë e Kosovës se çfarë do të ndodhë me këto raste, por ata nuk kanë dhënë një shpjegim nëse gjobat duhet paguar apo do të anulohen.

“Qëllimi i angazhimeve policore është që të zbatohet ligji anti-COVID-19 në mënyrë sa më efikase, të mbrohet shëndeti i qytetarëve dhe të parandalohet përhapja e mëtejme, prandaj secili tani më është i njoftuar për masat dhe ndëshkimet që dalin nga ligji në fjalë”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës.

I vetëm në kamion e në lëvizje, dënohet nga Policia për mosmbajtje të maskës

www.kallxo.com