Komisioni për Ekonomi

Mosrespektimi i kuotës gjinore, Kryesia e Kuvendit kthen prapa listën me kandidatë për bord të KOSTT-it

Komisioni për Ekonomi, Punësim, Tregti, Industri, Ndërmarrësi dhe Investime Strategjike e ka dërguar në Kryesi të Kuvendit listën me 12 kandidatë për anëtarë të bordit të KOSTT-it pasi Kryesia e kishte kthyer prapa listën e parë me 10 kandidatë, për shkak të mosrespektimit të kuotës gjinore.

Më 16 qershor, Komisioni e kishte dërguar në Kryesinë e Kuvendit listën me 10 kandidatë, 6 burra dhe 3 gra. Por Kryesia e Kuvendit ka kërkuar nga Komisioni për Ekonomi që ta rishqyrtojë raportin me kandidatët e rekomanduar duke respektuar Ligjin për barazi gjinore.

Pas diskutimeve në Komision u vendos që listës prej 10 kandidatëve t’i shtohen edhe dy kandidatë, Arben Dodaj dhe Hyrmet Mydyti.

Dodaj ishte kandidati i parë që kishte mbetur jashtë listës prej 10 kandidatëve që shkojnë në Kuvend dhe ishte radhitur i 11-ti. Tre kandidatët, Arben Dodaj, Betim Elezaj dhe Fadil Abdullahu kanë pasur pikë të njëjta por Grupi Punues ka vendosur që të përzgjidhen sipas renditjes alfabetike. Ndërsa Hyrmet Mydyti ishte gruaja e vetme jashtë listës me 10 kandidatë. Ajo ishte radhitur e 23-ta nga 27 kandidatët e intervistuar nga Komisioni.

Lista prej 12 kandidatëve që do të shkojnë në Kryesi të Kuvendit përbëhet nga 8 burra dhe 4 gra, si në vijim: Kushtrim Krasniqi, Jeton Mehmeti, Ali Hamiti, Nebih Zariqi, Pranvera Dobruna – Kryeziu, Saranda Sadriu – Mehmeti, Xhavit Buzhala, Ibrahim Krasniqi, Gjelosh Vataj, Ajrinë Gashi – Hamdiu, Arben Dodaj dhe Hyrmet Mydyti.

Kryetari i Komisionit për Ekonomi, Endrit Shala fillimisht tha se Kryesia e Kuvendit nuk ka të drejtë t’i kthejë rekomandimet e Komisionit por e ka obligim të administrojë punën e Kuvendit.

“Kryesia nuk e ka këtë të drejtë t’i kthej rekomandimet e këtij Komisionit, e ka obligim ta administrojë punën e Kuvendit e jo ta rikthejë në Komision. Pasi ka kërkuar ta rishqyrtoj rekomandimin, i kam dërguar një letër Kryesisë, ne nuk jemi kundër ligjit, se ne nuk i zgjedhim anëtarët e bordit por vetëm i rekomandojmë, e mandej Kuvendi i zgjedh. Pas kërkesës së Kusari-Lila, e kam përkrah kërkesën e saj dhe kemi vendos që ta marrim në shqyrtim këtë kërkesë”, ka deklaruar Shala.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari – Lila tha se është tepër e rëndësishme që Komisioni dhe Kuvendi të jenë në përputhshmëri me Ligjin për ndërmarrjet publike, ku parashihet që përbërja e bordeve të jetë në harmoni me Ligjin për barazi gjinore.

“Kjo përfshin edhe procedurat e rekrutimit prej shpallës së konkurseve. Në rastin e secilit institucion ligjore, kuota ligjore ta karakterizojnë secilin konkurs. Të jetë një mënyrë inkurajuese që e shohin që mund të kontribuojnë në borde publike dhe agjenci të pavarura. Ne zgjedhim se po bëhemi komisioni seleksionues. Dikujt po ia mundësojmë që t’i shkoj emri në seancë e dikujt jo. Propozoj që në komisione seleksionuese të jenë të gjithë deputetët që duan të marrin pjesë, nuk ka rregullore që secili grup parlamentar të ketë një përfaqësues”, deklaroi ajo.

Komisioni e miratoi listën me 12 kandidatë për anëtarë të bordit të KOSTT-it. Kjo listë do të dërgohet në Kryesinë e Kuvendit.

“E kisha lut Sekretariatin duke e ditë urgjencën që me kërku nga Kryesia që sa më parë me u procedu në Kuvend”, deklaroi kryetari i Komisionit për Ekonomi, Endrit Shala.

Më 15 dhe 16 qershor, Komisioni i përbërë nga Endrit Shala, Pal Lekaj, Ferat Shala, Elbert Krasniqi, Doruntinë Maloku – Kastrati dhe Zoran Mojsiloviq, kanë intervistuar 27 kandidatë për anëtarë të bordit të KOSTT-it.

KALLXO.com transmetoi drejtpërdrejtë mbledhjen e sotme të Komisionit për Ekonomi.

Mbledhja e Komisionit Parlamentar për Ekonomi

Mbledhja e Komisionit Parlamentar për Ekonomi

Publiée par Kallxo.com sur Vendredi 26 juin 2020