Mosprezenca e ministrit Murati në Komision shkakton pakënaqësi te opozita

Në rend dite në Komisionin për Mbikëqyrjen Financave Publike ishte shqyrtimi i raportit të auditimit të buxhetit të Kosocës për vitin 2021 dhe i ftuar ishte ministri i Financave, Hekuran Murati. Por edhe pse ishte konfirmuar pjesëmarrja e tij, ministri Murati nuk ka ardhur për raportim për shkak të një vizite në Portin e Durrësit.

Mosprezenca e ministrit shkaktoi zhurmë të madhe nga opozita. Kryetarja e këtij komisioni, Hykmete Bajrami, tha se janë bërë gati 10 ditë që është konfirmuar pjesëmarrja ndërkaq, ministri nuk është prezent. Sipas saj nuk ka pasur as njoftim për mungesë.

Hajdar Beqa, deputet i PDK-së tha se është e pakuptimtë të diskutohet kjo pikë dhe ka propozuar  që raporti të shkoj në Kuvend në seancë plenare.

Kurse, kryetarja e komisionit, Bajrami tha se kjo pikë shtyhet për javën tjetër pasi sipas saj kanë nevojë që të diskutojnë dhe të marrim përgjigje nga ministri.

Gjatë fjalimeve, deputeti Beqa ka përmendur edhe mospagesën për mësimdhënësit ndërsa nënkryetarja Arta Baralija shtoi se nuk duhet të bëhet politikë me gjera jashtë raportit duke e arsyetuar ministrin për vizitën në Portin e Durrësit.

“E kemi pa që ka pas vizitë urgjente në Portin e Durrësit”- tha ajo.

Deputetja e AAK-së, Albana Bajrami, tha se nuk ka nevojë që deputetët të bëhen avokat të ministrit.

“Kërkojmë që ky raport mos të shqyrtohet pa qenë ministri”- tha Bajrami.

Auditorja e Përgjithshme e ZKA-së, Vlora Spanca, tha se raporti do të shqyrtohet edhe nesër në Komisionin për Buxhet.

Ndërkaq, kryetarja e Komisionit, Hykmete Bajrami, tha se ky raport është nën mbikëqyrjen e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike.

“Nesër në Komisionin për Buxhet dhe Financa është ftuar auditorja dhe ministri. Ministrit nuk i ka konvenuar që sot të raportoj në komisionin e opozitës kjo është aspak e pranueshme. Ta shtyjmë për javën tjetër këtë raport. Nuk ka ndodh që ministrat me raportuar ku donë e jo aty ku i obligon rregullorja”- tha ajo.

Deputeti Hajdar Beqa ka filluar që në fjalimin e tij të përdorë edhe fjalë fyese.

“Përveç se jeni të padijshëm, jeni analfabet funksional. Duhet me ju ardh marre ku e keni pru vendin e popullin. Me shku në psikiatri nuk ju lëshojnë prej spitalit. Ju ma shumë keni nevojë për diagnoza psikiatrike” – tha ai.

Deputetja Mirlinda Sadiku kërkoi qe të dënohet nga kryetarja gjuha fyese e deputetit Beqa.

“Duhet ta dënoni gjuhen e tij” – tha ajo.

Kryetarja e ka mbyllur mbledhjen duke thënë se për të është mbledhja e mbyllur.

Kurdse deputeti Eman Rrahmani e cilësoi të papranueshme mungesën e ministrave në këtë Komision duke thënë se duhet të vijnë të raportojnë.

“Është dinjitet i secilit këtu të vijnë të raportojnë është oblative qe të vijnë ministrat me raportu” – tha ai.