Mospajtimet e asamblistëve të Fushë-Kosovës rreth ujit të pijshëm

Kryetari i Komunës së Fushë-Kosovës, Burim Berisha, ka thënë se e gjithë komuna është e lidhur me sistem të ujësjellësit.

Por çështja është ngritur për lagjet 28 dhe 29, kur banorët e komuniteteve kanë thënë se uji nuk është i pijshëm.

Kjo lagje ka probleme edhe me sistemin e kanalizimit.

Kryetari Berisha tha se lagjet ku jetojnë komunitetet janë të ngushta dhe ka probleme me çdo punë që e bëjnë.

“Lagja 28 dhe 29 është shumë e ndërlikuar, kanë shtëpi të vogla dhe të ndërtuara një mbi një saqë ne kemi problem edhe kur e bëjmë kanalizimin nëpër rrugë, sepse janë shumë të ngushta, edhe një ujësjellës, asfalt, ndriçim edhe pse kemi bo punë të jashtëzakonshme atje”, tha Berisha.

Qerim Gara, nënkryetar për komunitete i Komunës së Fushë-Kosovës tha se në ato lagje ka mbipopullim dhe gypi i kanalizimit nuk i përballon të gjitha shtëpitë.

Kurse, sipas tij, uji në ato lagje nuk pihet.

 

“Atëherë o kanë numër i vogël i banorëve. Tash në atë lagje janë 350 shtëpi. Janë lidh krejt me atë gyp”, tha Gara duke shtuar se deri në fund të mandatit do të punojnë për ta rregulluar këtë problem.

Sa i përket ujit të pijshëm Gara tha se lagjet e komunitetit të tij nuk janë lidhur me ujë të pijshëm.

“Ne për momentin nuk kemi ujë të pijshëm sepse jemi lidh në bunare të Kuzminit”, tha ai.

Durim Hajra, asamblist nga Lëvizja Vetëvendosje, tha se edhe pse është bërë lidhja me ujësjellësin me fabrikën në Shkabaj, tha se ujë të pijshëm nëpër fshatra nuk ka.

“Ujë në fshatra nuk ka. Nuk është bo zgjidhje”, tha Hajra.

Ndërsa Remzi Shala, asamblist nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ka insistuar se uji është i pijshëm.

“Nëse nuk ju pëlqen sepse unë e kam ujin e njëjtë në fshatin tim Henc. Çdo herë bëhen testet biokimike dhe bakteriologjike, uji është i pijshëm po unë nuk e përdori por e blej”, tha ai.