Mospagesa e stafit mbështetës për menaxhimin e pandemisë, opozita ka kërkesa për Qeverinë

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës Armend Zemaj dhe deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës Floretë Zejnullahu, kanë ngritur shqetësimin e mos pagesës së rreth 1 mijë e 200 profesionistëve shëndetësor.

Zemaj tha se ka disa ditë në Republikën e Kosovës që më shumë se 1 mijë e 200 profesionist shëndetësor, staf mbështesë dhe personel i angazhuar në menaxhimin e pandemisë kanë mbet pa paga tash e tre muaj. Çka është më e keqja kanë mbet edhe pa përgjigje zyrtare”, tha Zemaj.

Zemaj ka kërkuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Qeveria e Kosovës, të kthehen në përgjegjësi të kryerjes së detyrave duke shpresuar sipas tij që “pushimet e gjata kanë mbaru dhe ta ndijnë një përgjegjësi para kuvendit e qytetarëve”.

“Puna e profesionistëve shëndetësor me përkushtim pa pushime dhe ditëve të vikendit me menaxhim efikas, me mburrje nga qeveria sidomos në procesin e vaksinimit e tash me injorim ndaj tyre, tregon paaftësinë dhe mashtrimin që u bëhet gjithë atyre që e dëshirojnë punën e tyre ta kryejnë me nderë dhe përgjegjësi të lartë”, tha Zemaj.

Edhe deputetja Zejnullahu, ka përmendur mos pagesën e këtyre 1 mijë e 200 punonjësve shëndetësor infermier, e staf mbështetës të angazhuar nga Ministria e Shëndetësisë për menaxhimin e pandemisë që nuk janë paguar për rreth 3 muaj.

“Ata janë në protestë me thirrje që na dhemb të gjithëve ministër na kthe përgjigje para orës 16:00 sepse kemi kurs të gjermanishtes. Ndërkohë ministri po shëtitet me punë private në Amerikë”, tha ajo.

Sipas deputetes, ministri duhet të kthehet në Kosovë ose të shkarkohet.

Para Ministrisë së Shëndetësisë dje kanë protestuar infermierët dhe stafi mbështetës i angazhuar gjatë pandemisë me arsyen se nuk janë paguar që tre muaj.

Zëvendësministrja e Shëndetësisë, Dafina Gexha- Bunjaku, tha se janë zhvilluar disa takime me përfaqësues nga kabineti i ministrit dhe se deri në fund të javës pritet që të merret vendimi për procedim të pagave.

Deri në fund të javës pritet të merret vendimi për pagesën e stafit mbështetës për Covid-19