Mosmarrëveshjet e brendshme lënë pa Bord Shoqatën e të Verbërve në Gjakovë

Shoqata e të Verbërve të Gjakovës aktualisht ka mbetur pa kryetar si pasojë e mosmarrëveshjeve brenda organizatës. Me 1 prill është shkarkuar nga pozita kryetari Shaip Kastrati dhe tre anëtarët e tjerë të bordit.

Shaip Kastrati po pretendon që është shkarkuar për shkaqe politike dhe se Shoqata e të Verbërve të Kosovës po tenton të vë në krye të organizatës njerëz që i takojnë bindjeve të tyre politike.

Kastrati në një intervistë për KALLXO.com ka thënë se shkaku i akuzave nga anëtari Mark Pjetraj ai është shkarkuar pa paralajmërim dhe nuk kanë dhënë të drejtë kandidimi në zgjedhjet tjera.

Sipas tij, ky shkarkim ka ardhur si pasojë e një mocioni të mosbesimit të ngritur nga anëtari i Shoqatës Mark Pjetraj.

 “Gjatë këtyre tre muajve raportet kanë qenë shumë të mira se ai ka treguar çka ka punuar. Po një ditë me 15 mars ka ardhur e ka sjellë një kërkesë një mocion për mosbesim të kryetarit. I ka pas 10 nënshkrime por një nënshkrim ka qenë keq se ai nuk është delegat. Janë nëntë nënshkrime ndërsa shoqata e të verbërve i ka 19 delegatë, ai i ka pas nëntë e 11 jo se dy delegatë mungojnë”, thotë Kastrati.

“Këto nënshkrime i kanë bërë me 8 mars. I kanë thirrë motrat tona të verbëra që të bëjnë një aktivitet e kanë shfrytëzuar rastin, ia kanë jap një drekë dhe i kanë shti me nënshkru. Ato shumica nuk e dinë as çka kanë nënshkruar”, thotë ai.

Këto akuza i mohon anëtari i Shoqatës të Verbërve të Gjakovës njëherazi edhe anëtar i Federatës së Sportit dhe Shoqatës së Verbërve të Kosovës, Mark Pjetraj. Sipas tij Shaip Kastrati së bashku me tre anëtarë tjerë të Bordit janë shkarkuar pasi që kanë shkelë statutin dhe nuk kanë përfillur rekomandimet e Shoqatës për të mbajtur mbledhje.

Pjetraj në një intervistë për KALLXO.com ka thënë se një ndër arsyet e këtij mocioni është se një subvencion prej 1,000 eurosh i ndarë nga Drejtoria e Kulturës në komunën e Gjakovës nuk ka hyrë në xhirollogarinë e Shoqatës.

“Në muajin dhjetor në mbledhjen e bordit të Shoqatës së Gjakovës deklaronte se unë nuk jam i informuar që shoqata ka përfituar subvencion me vlerë një mijë euro nga Drejtoria për Kulturë për Rini dhe Sport. Ndërsa në muajin tetor deklaronte në Radio Gjakovë se Shoqata ka përfituar subvencion prej 1,000 mijë eurosh, ndërsa në mbledhje thoshte jo”, thotë Pjetraj.

“Kur jam larguar nga mbledhja ka kërkuar mocion për shkarkim nga departamentit të sportit. E kam thirrë vullnetarisht të shtunën në takim në muajin dhjetor dhe në momentin kur ja kam caktuar mbledhjen dhe i ka thirrë anëtarët duke iu bërë presion që nëse e votoni Markun do të prisheni me anëtarët e familjes”, ka thënë ai.

“Përveç që iu ka kërkuar votën kundër iu ka thënë që Marku është i pabesë ju nuk e njihni edhe ka fol fjalë që janë të turpshme të dalin në media. Ai ka thënë për anëtarët janë të sëmurë mendor ose që disa anëtarë janë në lidhje. Në momentin kur e kam dëgjuar këtë kam kontaktuar me anëtarët e Kuvendit dhe i kam marr nënshkrimet duke u bazuar në ligj”, tregon Pjetraj.

Pas kësaj, Mark Pjetraj i ka drejtuar kërkesë Shoqatës së Verbërve të Kosovës të cilët i kanë rekomanduar që brenda 10 ditësh të mbajnë mbledhje me pikën e vetme, mocionin ndaj kryetarit. Sipas tij, ky rekomandim nuk është përfillë dhe ShVK ka vendosur t’i shkarkoj dhe të mbaj zgjedhjet me 8 prill.

Sipas Statutit të Shoqatës Kuvendi i Anëtarëve mund të takohet në mbledhjen e jashtëzakonshme kurdoherë që kërkohet nga ana e anëtarëve.

Kurse Kastrati po pretendon që është përjashtuar për shkak të bindjeve politike dhe se po tentojnë të vënë në krye të Shoqatës njerëz me bindje të njëjta.

Drejtori i Shoqatës të Verbërve të Kosovës, Daut Tishuki në një përgjigje për KALLXO.com ka mohuar akuzat e Shaip Kastratit se është shkarkuar për bindjet e tij politike dhe se arsyeja e shkarkimit të Bordit është moszbatimi i rekomandimeve dhe statutit të Shoqatës.