Mosmarrëveshje në Suharekë, lëndohen 2 persona dhe 7 arrestohen

Një mosmarrëveshje mes disa personave ka ndodhur dje rreth orës 15:00 në Suharekë.

Sipas policisë, dy prej tyre kanë pësuar lëndime trupore dhe kanë marrë tretman mjekësor, ndërsa 7 persona të tjerë janë arrestuar.

Policia thotë se në vendin e ngjarjes është gjetur dhe konfiskuar një revole e llojit SIX SAVER e kalibrit 9 mm dhe për momentin nuk dihet se kush e ka përdorur armën dhe cili është pronari i saj.

Tutje thuhet se njësitë policore me urdhër të prokurorit kanë bastisur në dy lokacione shtëpitë e të dyshuarve dhe gjatë kontrollit në njërin lokacion kanë gjetur një shufër metali e cila dyshohet se është përdorur gjatë përleshjes në vendin e ngjarjes e cila është sekuestruar, ndërsa, në lokacionin tjetër nuk është gjetur asgjë.

Në lidhje me këtë rast me vendim  të prokurorit kujdestar të dyshuarve iu është caktuar masa e ndalimit policor për 48 orë.