Mosmarrëveshje në Drenas, burri dyshohet se nuk e lejoi të fejuarën të largohet nga shtëpia e tyre
Shtatë raste të dhunës në familje janë raportuar në Policinë e Kosovës në 24 orët e fundit,
Dy raste të dhunës në familje janë raportuar në Prizren, një në Drenas, një në Prishtinë, në Suharekë, në Malishevë dhe në Mitrovicë.
Në Drenas një grua ka raportuar në Polici se ka pasur një mosmarrëveshje me të fejuarin e saj.
Sipas Policisë, viktima ka dashur të largohet nga shtëpia ku ata jetojnë por nuk e ka lejuar i dyshuari.
Në lidhje me rastin rastin është konsultuar prokurori i shtetit i cili ka rekomanduar që rasti të procedohet në procedurë të rregullt.
Në Prishtinë një grua ka raportuar se është sulmuar fizikisht nga vëllai i saj me probleme psikike.
Sipas njoftimit, ngjarja ka ndodhur dje në ora 18:30.
“Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar për ekzaminim psikiatrik ku i njëjti është ndaluar në Forenzikën Psikiatrike për trajtim të mëtutjeshëm”- ka njoftuar Policia.
Ndërsa, në Prizren janë raportuar dy raste të dhunës në familje.
Më 3 janar rreth orës 23:40, Policia ka arrestuar një burrë në Prizren, pasi dyshohet se në gjendje të dehur ka ushtruar dhunë ndaj vajzës së tij.
Policia ka njoftuar se me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.
Ndërsa, në rastin tjetër, një grua ka raportuar se pas një mosmarrëveshje është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj.
Policia ka njoftuar se pas intervistimit rasti shkon në procedurë të rregullt.
Një tjetër rast i dhunës në familje është raportuar në Suharekë. Një burrë është arrestuar nen dyshimin se ka sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij.
Viktima ka pësuar lëndime trupore dhe e njëjta ka pranuar tretman mjekësor.
Policia ka njoftuar se rasti ka ndodhur dje dhe se me vendim të prokurorit, është berë bastisja në shtëpinë e të dyshuarit por nuk është gjetur asgjë e dyshuar.
Pas intervistimit i dyshuari është dërguar në mbajtje, ka njoftuar PK.
Një rast i dhunës në familje është raportuar në Malishevë. Një grua ka raportuar se pas një mosmarrëveshje është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj.
Sipas Policisë, viktima ka pranuar tretman mjekësor.
Ndërsa, i dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.
Për dhunë në familje është arrestuar edhe një burrë në Mitrovicë.
I njëjti dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij.
Me vendim të prokurorit i dyshuari është liruar dhe rasti shkon në procedurë të rregullt.