Ilustrim
Mosmarrëveshja për parkim të veturave që çoi në tentimvrasje
Në Gjykatën në Prishtinë janë dëgjuar dëshmitarët në rastin e vëllezërve të akuzuar për tentimvrasje dhe sulm ndaj fqinjit të tyre Demir Huruglicës. E tërë ngjarja kishte ndodhur për shkak të një mosmarrëveshje për parkim të veturave.
Në cilësinë e dëshmitarëve në seancën e 21 nëntorit janë dëgjuar Demir Huruglica dhe Sulltan Pajaziti, për të dhënë versionet e tyre në lidhje me këtë rast.
Demir Huruglica rrëfimin e tij e filloi duke treguar që raportet me familjen Murati janë prishur për shkak të parkingut të veturave.
Mbrojtësi i të pandehurit Eroll Murati, avokati Imer Berisha, e pyeti Huruglicën nëse kishte pasur mosmarrëveshje edhe me ndonjë familje tjetër në të njëjtën rrugë. I njëjti e pohoi problemin edhe me një familje tjetër.
“Po, kam pasur për parking të veturave pengesë nga familja tjetër për të cilën kam njoftuar policinë dhe e njëjta familje më ka kërkuar falje dy herë. Gjatë kësaj më ka përkrahur familja Murati, duke i thënë familjes tjetër që të mos bllokojnë rrugën” – shtoi tutje Huruglica.
Huruglica në rrëfimin e tij në Gjykatë tha se e ngjarja ka ndodhur me paramendim.
Në cilësinë e dëshmitarit në këtë seancë është dëgjuar edhe Sulltan Pajaziti. I njëjti deklaroi se për prishjen e raporteve në mes familjeve Murati e Huruglica kishte dëgjuar nga Hoxha Hasim Krasniqi.
“Tri ditë para natës kritike më ka thirrë Hoxha Hasim Krasniqi dhe më ka thënë që jam i thirrur për me shku me ndërhy në këtë rast në mes dy familjeve…” – tha Pajaziti.
Mbrojtësi i të dëmtuarit Deri Huruglica, avokati Asdren Bytyqi, e pyeti Pajazitin nëse gjatë takimit fillestar kishte dhënë ndonjë këshillë se si do të duhej të ishte zgjidhur ky problem.
“Unë personalisht jo, pasi që nuk kam shkuar në cilësinë e ndërmjetësuesit, po vetëm i kam bërë shoqëri Hoxhës Hasim, ndërsa Hoxha Hasim ka dhënë këshilla” – u përgjigj Pajaziti.
Seanca e radhës për këtë rast është caktuar të mbahet më 6 dhjetor 2022.
Sipas dosjes së siguruar nga KALLXO.com, i pandehuri Eroll Murati me dashje ka tentuar ta privojë nga jeta Demir Huruglicën, më 21 shkurt 2018, rreth orës 19:10 në Prishtinë. Kjo kishte ndodhur derisa i dëmtuari Demir Huruglica ishte duke përcjellë dëshmitarët Sulltan Pajazitin dhe Hasim Krasniqin, të dërguar nga familja e të pandehurve Eroll e Gëzim Murati për ndërmjetësim lidhur me mosmarrëveshjen e tyre për parkim të veturave në rrugën e përbashkët.
I pandehuri tjetër në këtë rast, Gëzim Murati ishte afruar të ndërmjetësuesit për t’i pyetur se çfarë përgjigje kishte dhënë i dëmtuari ndërmjetësuesve. Ndërmjetësuesit i ishin përgjigjur Gëzim Muratit se “Dema nuk po pranon” dhe aty ishte tensionuar situata. Tutje sipas aktakuzës, me qellim që të shmanget kjo gjendje, Huruglica i ishte afruar që të treve dhe ju kishte thënë nuk kanë çka me bisedu në rrugë, “thirrni dy shokët të cilët iu patët premtuar se nuk do t’i lini më kerret në rrugë asnjëherë dhe më keni tradhtuar”.
Pas kësaj në aktakuzë thuhet se, i pandehuri Eroll Murati doli nga dyert e shtëpisë dhe me armë në dorë u nis drejt Huruglicës duke sharë e pastaj duke shtënë një herë me armë në drejtim të të dëmtuarit. Plumbi të dëmtuarin e ka qëlluar në dorën që e kishte të mbështetur tek barku, duke arritur ta godas edhe në bark me të njëjtën gjuajtje.
Në këto momente dëshmitari Sulltan Pajaziti kishte bërtitur “hej mos bre” e pastaj për t’ia shpëtuar jetën të dëmtuarit, i ishte hedhur sipër për ta shpëtuar nga gjuajtja e dytë e të pandehurit Eroll Murati.
Sipas Prokurorisë, me këtë veprim, i pandehuri Eroll Murati ka kryer veprën penale ‘vrasje në tentativë’. I njëjti akuzohet edhe për armëmbajtje pa leje.
Ndërsa në të njëjtin rast i akuzuar është edhe Gëzim Murati për veprën e penale ‘sulm’. I njëjti akuzohet se ka sulmuar dhe kërcënuar me fjalët “kemi me të mbytë krejt” të pandehurin Demir Huruglica, pasi që ky i fundi ishte rrëzuar pas goditjeve të marra nga arma e zjarrit.