Moslejimi i kosovarëve në Mal të Zi pa test negativ me coronavirus, deputeti i LVV akuzon Qeverinë Hoti

Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitim Uka ka reaguar pas vendimit të Malit të Zi se qytetarët e Kosovës nuk mund të shkojnë në këtë shtet, pa prezantuar para autoriteteve, një test negativ për coronavirus.

Uka ka dekalruar se kjo masë aplikohet vetëm ndaj qytetarëve të shteteve që kanë numër të madh të rasteve aktive me COVID-19.

“Dhe, ‘qëllon’ që nga menaxhimi i përkryer i pandemisë në kohën e Qeverisë Kurti, me numrin më të vogël të rasteve dhe të vdekshmërisë nga COVID 19, të kalojmë në keqmenaxhim total dhe kaos, që na dhuron etiketën e ‘vatrës së rrezikshme’”, ka shkruar deputeti në Facebook.

Uka ka akuzuar Qeverinë Hoti për mosvënie nën kontroll të situatës.

“Dështimi i Qeverisë ilegale për të vënë nën kontroll epideminë po thellon edhe më shumë izolimin e Kosovës. Tashmë, jo vetëm vendet e Bashkimit Evropian, por edhe shtetet fqinje, po vendosin kufizime për lëvizjen e qytetarëve tanë. Në anën tjetër, Koti thotë do t’i kthejmë masat, e ai që i thotë vetes ministër i shëndetësisë dhe nuk e di çfarë është R0, thotë se nuk do t’i kthejmë kurrë. E tmerrshme!”, thuhet në publikimin e tij.

Sipas të dhënave zyrtare, deri më tani në Kosovë janë konfirmuar 1,998 raste me coronavirus, 980 janë shëruar dhe kanë vdekur 35 persona.

Kosovarët nuk mund të shkojnë në Mal të Zi pa test negativ për coronavirus