Moslejimi i autobusit me studentë të huaj që ta vizitojnë Prekazin, vjen reagimi nga Familja Jashari

Bekim Jashari, i biri i heroit kombëtar Hamëz Jashari, ka reaguar lidhur me pengimin e një autobusi me studentë të huaj që të futej në Prekaz për të vizituar Kompleksin Memorial.

Kujtojmë që sot gjatë ditës grupi i tifozëve nga Skenderaj ‘Shqiponjat e zeza’, kanë penguar një autobus që bartte studentë të ‘Universitetit veror’, që të futej në Prekaz, me arsyetimin se në mesin studentëve ka dhe studentë nga Serbia.

Lidhur me këtë, Bekim Jashari në reagimin e tij ka shkruar se ndihet i shqetësuar për mos lejimin e studentëve të huaj që të vizitonin Kompleksin Memorial në Prekaz.

Sipas tij, aksioni i sotëm është në kundërshtin me traditën shqiptare në raport me mysafirin dhe bie ndesh edhe me qëndrimet e Familjes Jashari.

 

Reagimi i plotë i Bekim Jasharit:

Të dashur qytetarë,

Jam i shqetësuar me disa pamje që tani shikova ku shihet se janë penguar për ta vizituar Kompleksin Memorial “Adem Jashari” disa studentë ndërkombëtar, mysafirë në Kosovë, të cilët do të kishin rastin që për së afërmi të njihen me luftën, sakrificën dhe historinë e familjes, e në veçanti të rinjve të familjes sonë që kur ishin në moshën edhe me të re se të këtyre vizitorëve dhanë më të shtrenjtën jetë që bashkëmoshatarët e tyre të jetojnë e veprojnë të lirë.

Aksioni i sotëm pos që është në kundërshtin me traditën shqiptare në raport me mysafirin, bie ndesh edhe me qëndrimet tona si familje.

Memoriali i përket sakrificës dhe rezistencës për liri dhe si i tillë është vend i duhur për çdokënd që dëshiron të dijë vlerën e lirisë, duke përfshirë edhe ata që tani distancohen dhe njohin gjenocidin serb në Kosovë.

Në anën tjetër i kuptoj edhe reagimet e “Shqiponjave të Zeza” që të ndikuar nga lajme me tituj nxitës dhe nga emocionet realizuan një aksion jo të menduar aq mirë por gjithsesi pa ndonjë qëllim të keq, andaj edhe duhet mirëkuptuar.

Uroj që raste të tilla që prishin imazhin e shtetit dhe shoqërisë sonë të mos përsëriten.

Me shumë respekt për të gjithë nga familja Jashari!