Moskujdesi që i kushtoi Ministrisë së Mbrojtjes mbi 51 mijë euro

Ministria e Mbrojtjes gjatë vitit të kaluar kishte blerë 14 automjete taktike me pajisje shtesë për nevoja të FSK-së, por pagoi mbi 51 mijë euro më tepër për shkak të këmbimit monetar – nga dollari amerikan në euro.

Zyra Kombëtare e Auditimit, në raportin e publikuar gjatë ditës së sotme, ka shpjeguar se gjatë auditimit të Ministrisë së Mbrojtjes ka gjetur se për 14 automjete taktike, e njëjta ministri pagoi 3 milionë e 69 mijë e 488 euro, ose 60 mijë e 724 dollar ose mbi 51 mijë euro më shumë.

Sipas kontratës së Ministrisë së Mbrojtjes me Operatorin Ekonomik prej të cilit kanë blerë automjetet në nenin 4 pika 2 thekson se kursi mesatar i këmbimit nga dollar në euro, duhet të merret nga Banka Qendrore e Kosovës apo ajo Evropiane në ditën e nxjerrjes së urdhër blerjes dhe të gjitha pagesat duhet të bëhen në euro.

Çmimi për një automjet siç ka theksuar ZKA ka qenë 255 mijë e 811 dollar ndërsa për 14 automjete të tilla është paguar 3 milionë e 69 mijë e 488 euro.

ZKA kishte vërejtur gjatë auditimit se Ministria nuk e kishte përllogaritur kursin e këmbimit valutor ashtu siç ishte kërkuar me kontratë, me datën e urdhërblerjes.

“Për pagesën e realizuar me datë 18.08.2020, këmbimi valutor ishte bërë më datë 27.07.2020, ku vlera e këmbimit në këtë datë ishte 1 euro = 1.16676$. Si rezultat i këtij kursi valutor, Ministria kishte paguar për 14 automjete 3,069,488€ (3,581,356$/1,16676$= 3,069,488€). Ndërsa, sikur të kishte paguar sipas kontratës me datë të urdhërblerjes 07.08.2020, ku vlera e këmbimit valutor në këtë datë ishte 1 euro= 1.1865 US dollarë, Ministria për 14 vetura do të paguante 3,018,313€ (3,581,356$/1.186542=3,018,313€)”, thuhet në raportin e ZKA-së.

Si rezultat i mosllogaritjes së kursit monetar në kohën e paraparë, Ministria e Mbrojtjes ka paguar 60 mijë e 724 dollar më shumë apo 51 mijë e 177 euro sa duhej.

“Kjo ka ndodhur si rezultat i mosrespektimit të kushteve të kontratës për realizimin e pagesës në datën e urdhër blerjes nga Ministria e Mjedisit”, thuhet në raport.

Sipas ZKA-së mosrespektimi i kushteve të kontratës, ka ndikuar në realizimin e shpenzimeve të paarsyeshme, ndërsa ka rekomanduar Ministrinë se duhet të identifikoj shkaktarët e mosaplikimit të kursit valutor sipas marrëveshjes dhe të siguroj kontrolle adekuate në mënyrë që mangësitë e tilla të mos ndodhin në të ardhmen.