Moskthimi i laptopëve, ish-drejtori komunal i Prizrenit dënohet sërish me burgim

Gjykata e Prizrenit dënoi të martën ish-drejtorin e Administratës në Prizren, Ilir Baldedaj nën akuzat për keqpërdorim të detyrës.

Baldedajt iu shqiptuan 10 muaj burgim efektiv si dhe dënimi plotësues, ndalimi i ushtrimit të funksioneve publike në administratë ose shërbim publik në kohëzgjatje prej 2 vitesh.

I njëjti u obligua që në emër të paushallit gjyqësor dhe mbrojtjes së viktimave të paguajë shumën 250 euro.

E dëmtuara Komuna e Prizrenit për kompenzim dëmi u udhëzua ne kontest civil.

Ilir Baldedaj për të dytën herë u shpall fajtor se ka bërë shpërndarjen e laptopëve dhe çantave për asamblistët e Kuvendit Komunal të Prizrenit në sasi prej 40 copë nga sasia totale prej 43 sosh.

Gjykimi ndaj tij nisi pas një hulumtimi të KALLXO.com në vitin 2019, për asamblistët që nuk i kishin kthyer laptopët.

Ndryshe, për këtë rast në vitin 2021 ai ishte dënuar me burgim efektiv prej 10 muajsh. Mirëpo, Apeli më 1 maj 2021 ka anuluar aktgjykimin e shkallës së parë dhe të njëjtin e ka kthyer në rigjykim.

Sipas aktakuzës, Ilir Baldedaj akuzohet se ka bërë shpërndarjen e laptopëve dhe çantave për asamblistët e Kuvendit Komunal të Prizrenit, në sasi prej 40 copë nga sasia totale prej 43 sosh.

Prokuroria thotë se në vërtetimin mbi pranimin e laptopëve të nënshkruar nga asamblistët me rastin e pranimit të pasurisë së tillë, nuk figuronte kushti që kjo pasuri shtetërore të kthehet pas përfundimit të mandatit publik.

Sipas Prokurorisë, për tre laptopë të tjerë nuk pati prova se ata u janë shpërndarë personave për të cilët kanë qenë të destinuar, me ç’rast thuhet se me këto veprime i akuzuari buxhetit të shtetit i ka shkaktuar dëm në vlerë prej 19 mijë e 350 euro.

Por, për këto pretendime Baldedaj është deklaruar i pafajshëm.

Kjo nuk është hera e parë që ish drejtori dhe asamblisti i AAK-së, Ilir Baldedaj po del para gjykatës për t’u përballur me akuza.

Më 10 shtator të vitit 2021, asamblisti i AAK-së është dënuar nga Gjykata e Prizrenit me 500 euro gjobë për mosdeklarim të pasurisë.

Ndaj tij në të kaluarën rëndonin edhe akuza të tjera për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Baldedaj ishte akuzuar se ka lidhur kontrata në mënyrë të paligjshme me tri televizione lokale për të reklamuar shërbimet komunale.

Me 25 maj 2018, ai u dënua me gjashtë muaj burgim me kusht, i cili dënim nuk do të ekzekutohej nëse brenda afatit prej një viti nuk kryen vepër tjetër penale.

Ndaj Ilir Baldedajt gjithashtu është duke u zhvilluar një proces gjyqësor ku po gjykohet se në mënyrë të kundërligjshme ka shpallur tenderë për dy projekte të cilat nuk u funksionalizuar.

Të gjitha raportimet e KALLXO.com mund t’i lexoni duke klikuar në këtë LINK.