Moskompensimi për "punën shtesë"- mentorët klinikë të specializantëve i japin “ultimatum” MSH-së

Disa mjekë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, e veçmas në Qendrën Klinike Stomatologjike, të cilët janë të angazhuar si mentorë klinikë për mbikëqyrjen e shkollimit të specializantëve, ankohen se nuk janë kompensuar nga Ministria e Shëndetësisë për këtë “punë shtesë” që nga shkurti i vitit 2023.

KALLXO.com ka pranuar ankesa edhe për mospagesën e angazhimit të mjekëve në Komisionin vlerësues të provimeve specialistike.

“Mund t’ju konfirmoj që përafërsisht nga shkurti i vitit 2023, mentorët klinikë nuk kompensohen për mentorimin e specializantëve. Më herët, vetëm në QKSUK janë paguar, por nga shkurti i vitit 2023 nuk janë kompensuar më”- tha njëri nga mentorët klinikë duke mos parapëlqyer të identifikohet me emër.

Burimet e KALLXO.com kanë ofruar një shkresë që mentorët e Qendrës Klinike Stomatologjike Universitare të Kosovës (QKSUK) e kanë dërguar te Komiteti Specialistik i Stomatologjisë dhe në Ministri të Shëndetësisë.

Në të thuhet se kompensimi për Bordin e Shkollimit Specialistik (BShS) dhe Komitetet Specialistike janë realizuar, ndërsa për mentorët klinikë, theksohet se jo vetëm se nuk u është realizuar kompensimi, por as nuk u është kthyer përgjigje në shqetësimin e tyre.

“Anëtarët e komisioneve vlerësuese të provimeve specialistike që njëkohësisht janë edhe mentorë klinikë të specializantëve, kanë vendosur se do të ndërpresin mbajtjen e provimeve specialistike nëse deri me datën 01.09.2024 MSH nuk reflekton në kërkesën legjitime, pra të kthehet një përgjigje me shkrim dhe sqarim nga MSH pse nuk është bërë pagesa në fjalë” – thuhet në këtë shkresë.

Ekipi i KALLXO.com ka kontaktuar edhe Komitetin Specialistik të Stomatologjisë në lidhje me shkresën për moskompensimin e mentorëve klinikë, dhe nga ky komitet është thënë se shkresa është drejtuar përmes BSHS-së në Ministrinë e Shëndetësisë.

Në Ministrinë e Shëndetësisë thonë se nuk ka mundësi të kryhen këto pagesa, sepse legjislacioni aktual nuk parashikon mundësi specifike për pagesën e këtyre mentorëve.

“Sa i përket pagesës së mentorëve klinikë, Ministria e Shëndetësisë, sipas legjislacionit në fuqi, nuk ka mundësi për të ofruar pagesa për këta mentorë. Legjislacioni aktual (ligji i pagave dhe rregulloret që derivojnë nga ai) nuk parashikojnë mundësi specifike për pagesën e mentorëve klinikë” – thuhet në përgjigjen e Ministrisë për KALLXO.com.

Koha kur kjo pagesë është ndaluar përkon me kohën kur Ligji i ri për Paga ka hyrë në fuqi.

MSH-ja ka shpjeguar se janë 670 mentorë klinikë të angazhuar në të gjitha klinikat dhe institucionet shëndetësore të autorizuara për shkollim specialistik, ku profesionistët shëndetësorë (specializantët) po vijojnë shkollimin specialistik.

Ndërsa, Bordi për Shkollim Specialistik thotë se pagesa e mentorëve nuk është kompetencë e tij.

“Çështje të tilla si kompensimi (ose jo) i mentorëve klinikë dhe specializantëve nuk janë në kompetencë të Bordit që unë drejtoj” – tha kryesuesi i Bordit, Edmond Haliti.

Kompensimi i mentorëve për punën e tyre është i paraparë në Ligjin për Shëndetësi dhe Udhëzimin Administrativ për Shkollim Specialistik 01/2023.

Neni 22 i Ligjit për Shëndetësinë thotë se mentorët klinikë marrin kompensim financiar për punën e tyre në bazë të aktit nën-ligjor të nxjerrë nga Ministria.

Ndërsa, neni 44 i udhëzimit thotë se “Puna e Bordit, UPS dhe mentorit klinik kompensohet në bazë të akteve ligjore dhe nënligjore në fuqi”.

Përgjegjësitë e një mentori klinik janë përcjellja e zbatimit të planit dhe programit të shkollimit specialistik, vlerësimi teorik dhe praktik i rezultateve të specializantëve dhe raportimi mbi ecurinë e shkollimit specialistik.