Moska është 'kërcënimi më i drejtpërdrejtë' për rendin botëror

Administrata e kontrolluar nga Rusia në qytetin ukrainas Kherson ka thënë se planifikon ta kërkojë aneksimin nga Moska, një veprim që do ta konfirmonte pushtimin e përhershëm të territorit ukrainas të pushtuar që nga shkurti nga Kremlini. Kievi zyrtar ka deklaruar se Moska planifikon ta mbajë një referendum të rremë mbi pavarësinë ose aneksimin. Kremlini u përgjigj se i takon banorëve që jetojnë në rajon të vendosin nëse duan të bashkohen me Rusinë, por çdo vendim duhet të ketë një bazë ligjore.

Forcat ruse dhe ukrainase duket se po vendosen në një ngërrç rraskapitës dhe vdekjeprurës në lindje të Ukrainës. Pavarësisht pretendimeve nga presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy, se kundërofensivat ukrainase rreth Kharkivit dhe gjetkë po i shtynin prapa forcat pushtuese ruse, sukseset ukrainase duket se tani për tani janë të kufizuara në krahët e largët veri-lindor dhe jugperëndimor të vijës së frontit prej 48 kilometrash.

Boris Johnson ka premtuar se do ta mbështesë Suedinë dhe Finlandën kundër kërcënimeve të mundshme ruse në çdo mënyrë të nevojshme. Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar udhëtoi në të dyja vendet për të nënshkruar marrëveshje të ndërsjella sigurie, me qeveritë e tyre që po e shqyrtojnë anëtarësimin në NATO pas pushtimit të Ukrainës. Presidenti i Finlandës, Sauli Niinistö, tha se bashkimi do të jetë për të “maksimizuar sigurinë” dhe jo për të qenë në asnjë mënyrë fyese.

Ukraina ka thënë se do ta pezullojë rrjedhën e gazit përmes një pike tranziti që ajo thotë se dërgon pothuajse një të tretën e karburantit të dërguar nga Rusia në Evropë përmes Ukrainës. GTSOU, e cila operon sistemin e gazit të Ukrainës, tha se do t’i ndalonte dërgesat përmes rrugës Sokhranivka nga e mërkura, duke deklaruar “forcë majeure”, një klauzolë që aplikohet kur një biznes goditet nga diçka jashtë kontrollit të tij. Flukset e gazit nga Gazprom i Rusisë në Evropë përmes Ukrainës ranë me një të katërtën të mërkurën.

Zelenskiy paralajmëroi se Kievit po i mbaron durimi për të zhvilluar bisedime me Rusinë, duke pasur parasysh dëshmitë në rritje të mizorive të kryera nga forcat ruse në vendin e tij. Ai tha se mundësia për të negociuar “zhduket” me “çdo Bucha të re, çdo Mariupol të ri”.

Lufta do të përfundojë kur Ukraina të rimarrë gjithçka që Rusia mori prej saj, tha Zelenskiy. “Lufta do të përfundojë për popullin ukrainas vetëm kur të marrim atë që është e jona,” tha ai përmes një adresimi në internet me studentët e universiteteve kryesore në Francë, përfaqësues të akademisë dhe medias.

Tre të burgosur rusë të luftës të akuzuar për shënjestrimin ose vrasjen e civilëve, dhe një ushtar që dyshohet se vrau një burrë para se ta përdhunonte gruan e tij, do të jenë në bankën e të akuzuarve në gjyqet e para për krimet e luftës të konfliktit në Ukrainë, ka zbuluar prokurori i përgjithshëm ukrainas. Më shumë se 10,700 krime janë regjistruar që nga fillimi i luftës nga zyra e prokurorit të përgjithshëm të Ukrainës, e udhëhequr nga Iryna Venediktova, dhe një pjesë e vogël e çështjeve tani janë depozituar ose janë gati për t’u dorëzuar.

Ukraina i ka propozuar Rusisë që mbrojtësit e plagosur rëndë në fabrikën e çelikut Azovstal në portin jugor të Mariupolit të shkëmbehen me robër lufte rusë, tha të mërkurën zëvendëskryeministrja Iryna Vereshchuk. “Nuk ka ende marrëveshje. Negociatat po vazhdojnë”, tha ajo në një postim në Telegram.

Rusia ka kërkuar nga Poloniua që të kërkojë falje zyrtare dhe ka kërcënuar me hakmarrje të mundshme në të ardhmen pasi ambasadori i saj u lye me bojë të kuqe në varrezat ushtarake sovjetike në Varshavë të hënën. 

Ish-ambasadori kinez në Ukrainë, Gao Yusheng, e ka kritikuar ashpër pushtimin e Rusisë. Në një fjalim që u raportua nga mediat kineze përpara se të rrëzohej shpejt, Gao tha se “shkeljet” e shpeshta të territorit të ish-shteteve sovjetike nga Putin ishin “kërcënimi më i madh për paqen, sigurinë dhe stabilitetin në Euroazi”./The Guardian