Moska dhe Pekini po dezinformojnë për vaksinat, thotë BE-ja

Bashkimi Evropian thotë se Pekini dhe Moska kanë shtuar fushatat e “dezinformimit të sponsorizuar nga shteti” me qëllim të denigrimit të vaksinave kundër COVID-19 të zhvilluara nga vendet perëndimore.

Përmes këtyre fushatave, këto dy vende, kanë për qëllim edhe promovimin e vaksinave të tyre, thotë BE-ja.

E ashtuquajtura “diplomaci e vaksinave” synon të dëmtojë besimin në vaksinat e bëra nga perëndimi, në institucionet e BE-së dhe strategjitë e vaksinimit perëndimor/evropian”, thuhet në një raport të Shërbimit të Jashtëm të BE-së.

Që nga dhjetori, media ruse, autoritetet dhe kompanitë shtetërore janë bashkuar për të promovuar vaksinën Sputnik V duke përdorur “mesazhe armiqësore” ndaj BE-së, tha raporti.

“Mediat Pro-Kremlin, duke përfshirë llogarinë zyrtare të Sputnik V në Twitter, janë përpjekur të minojnë besimin e publikut në Agjencinë Evropiane të Barnave (EMA) dhe të hedhin dyshime mbi procedurat e saj dhe paanshmërinë politike”, vlerëson Bashkimi Evropian.

Ndërkohë, Kina po promovon vaksinat e saj si “më të përshtatshme për vendet në zhvillim”, përfshirë ato në Ballkanin Perëndimor, ndërsa ka shfaqur “retorikë mashtruese” në lidhje me sigurinë e vaksinave perëndimore dhe madje edhe mbi origjinën e koronavirusit, thuhet në raport.

Shpërndarja e vaksinave në bllokun evropian është përballur me kritika për shkak të mungesës së furnizimit.

Ka pasur gjithashtu shqetësime në lidhje me sigurinë e disa vaksinave – veçanërisht AstraZeneca – për lidhje me mpiksje të rralla të gjakut dhe disa vende kanë kufizuar përdorimin e saj.

Brukseli këmbëngul se furnizimet tani po shtohen dhe blloku synon të vaksinojë 70 për qind të të rriturve deri në fund të korrikut.

Megjithatë, Hungaria, anëtare e BE-së, ka marrë vaksinën ruse dhe kineze ndërsa Austria dhe Gjermania kanë njoftuar se janë në bisedime për të blerë Sputnik V.

Agjencia Evropiane e Barnave ka nisur në muajin mars një vlerësim të Sputnik V. Nëse merr miratimin e rregullatorit evropian kjo do të ishte vaksina e parë jo-perëndimore kundër koronavirusit e autorizuar për përdorim në bllokun e 27 vendeve/REL