Policia e Kosovës Foto: Shkodrane Dakaj/KALLXO.com

Mosha mesatare e automjeteve të policisë është rreth 11 vite

Vjetërsia e flotës së automjeteve të Policisë së Kosovës është rreth 11 vite.

Kështu është thënë në raportin e Inspektoratit Policor i Kosovës për inspektimit për “Pajisjet policore në funksion të aktiviteteve operative – administrative”.

Sipas IPK-së, gjendja më e rënduar e vjetërsisë së automjeteve është në Drejtorin Rajonale në Mitrovicë të Veriut dhe në Mitrovicë të Jugut, ku mosha mesatare e veturave kalon mbi mesataren e përgjithshme.

Veturat në Mitrovicën e Veriut janë të vjetra rreth 13 vite ndërsa në atë të Jugut rreth 10 vite.

Stacionet e Policisë në Zubin Potok, në Zveçan dhe në Vushtrri, sipas IPK-së kanë veturat më të vjetra. Mosha mesatare e këtyre veturave në këto tri stacione policore kap edhe 15 vite.

Sa i përket stacioneve policore në rajonet tjera, vjetërsia e veturave sillet nga 6 deri në 8.

Drejtoria rajonale në Prizren dhe në Gjilan kanë vetura të vjetra me mesatare 6 vite, ato në Ferizaj, Prishtinë, Gjakovë me mesatare prej 7 viteve, ndërsa Peja me mesatare 8 vite.

KALLXO.com ka raportuar se ka raste kur në disa stacione të Policisë së Kosovës, një automjet ndahet për 22 punonjës.

Ndërsa, në një mesatare të nxjerrë nga IPK, në të gjithë rajonet, del se një veturë e Policisë ndahet për mesatarisht nëntë zyrtar policor.

Sipas IPK-së, marrë parasysh madhësinë e flotës së automjeteve, gjithsej 1 mijë e 15, në raport me numrin e personelit, gjithsej 9 mijë e 5, një automjet është i ndarë mesatarisht për nëntë punonjës.

Ndërsa bazuar në shpërndarjen aktuale, një automjet është i ndarë për 13 punonjës stacionesh.

IPK ka thënë se në një gjendje më të rënduar se kaq janë Drejtorit Rajonale të Policisë në Gjilan, Mitrovicën e Veriut dhe në Mitrovicën e Jugut.

Në diagramin e publikuar nga IPK, në rajonin e Gjilanit një veturë shërben për 16 punonjës, ndërsa në atë të Mitrovicës së Veriut dhe atë të Jugut, një veturë ndahet për 15 punonjës.

Mirëpo, nga prizmi i shpërndarjes së automjeteve, IPK ka thënë se 17 stacione të këtyre drejtorive kanë gjendje më të rënduar, pasi bazuar në numrin e punonjësve në raport me ngarkesën e automjeteve një veturë është në funksion të 14 deri në 22 punonjës.

Tutje, IPK ka thënë se në 24 stacione tjera policore gjendja është më e mirë, pasi bazuar në ngarkesën që kanë këto stacione, një automjet është në funksion të 7 deri në 13 punonjësve.

Mosha mesatare për automjetet e stacioneve policore (sipas drejtorive rajonale)/Screenshot: IPK